Durrësi është zgjuar sot i tëri në karantinë.

Rrugët janë tërësisht të qeta, pa lëvizje makinash apo këmbësorësh.

Në shumë lagje të qytetit dëgjoheshin cicërimat e zogjve, të cilat në ditë normale do të sfumoheshin nga zhurmat e makinave apo njerëzve.

Madje edhe qentë e rrugës i ngrohen diellit pranveror, duke u shtrirë në asfalt, të patrazuar nga njerëzit.

Të hënën, në orën 05.00, qyteti bregdetar, ashtu si e gjithë Shqipëria, pritet t’i rikthehet lëvizjes së kufizuar, pas karantinës 40 orëshe të fundjavës, për shkak të koronavirusit.

Autoritetet vazhdojnë të përsërisin apelin: Qëndroni në shtëpi, dilni vetëm kur e keni të domosdoshme.

Deri tani në vend numërohen 76 të prekur nga koronavirusi, ndërsa statistikat pritet të përditësohen rreth mesditës. Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa 3 janë shëruar.