Valbona Sako dhe Valbona Sakollari, dy kandidatet në garë për bashkinë e Durrësit, janë takuar me njëra-tjetrën dhe kanë shtrënguar duart.

Takimi mes dy grave që garojnë për t'u bërë kryebashkiakja e parë e qytetit bregdetar ka ndodhur ditën e Fiter Bajramit, në ambientet e xhamisë.

Ndërsa Sakollari dhe stafi i saj po dilnin nga takimi në Myftininë e Durrësit janë shkëmbyer me Sakon dhe deputetët e qarkut të Durrësit që e shoqëronin kandidaten e PS-së. 

Nuk kishte si të mungonte shtrëngimi i duarve dhe urimi reciprok për garën në të cilën janë përfshirë.

Eshtë hera e parë që dy kandidate femra garojnë për bashkinë e Durrësit në zgjedhjet që pritet të mbahen në 30 qershor. Vlen të theksohet se si asnjëherë më parë, opozita nuk merr pjesë në zgjedhje. Në 7 protesta kombëtare dhe një tjetër të lajmëruar për t'u mbajtur në 8 qershor, opozita e bashkuar ka kërkuar largimin e kryeministrit Rama dhe mos mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Në tubimet politike në rrethe, kryetari i PD-së Lulzim Basha ka lakuar kandidaten e Durrësit, Valbona Sako si të përfshirë në fenomenin e shitblerjes së votës. Ndërkohë, kryetari i degës lokale, Ferdinand Xhaferaj, deklaroi për DurrësLajm se Sako është e përfshirë në dosjen 339/1, "si e lëshuar nga Dako për të shantazhuar biznesin për llogari të votave".