Freedom House: Shqipëria ka bërë hapa prapa në demokraci, Rama dhe PS kërcënoi gazetarët

15/07/2020 - 20:44

Organizata Freedom House me qendër në Uashington tha se demokracia në Shqipëri pësoi rënie gjatë vitit 2019, duke materializuar shqetësimet për rritjen e autoritarizmit dhe të një sistemi jofunksional të kontrolleve dhe balancave mes pushteteve të qeverisjes.

Në raportin e saj vjetor për Shqipërinë të publikuar të mërkurën, organizata vazhdon ta cilësojë vendin si “regjim në tranzicion ose hibrid”, dhe tha se viti 2019 u karakterizua nga një rishfaqje e krizave politike.

Raporti veçon prirjet shqetësuese, sipas tij, në aspektet e qeverisjes demokratike, proceseve zgjedhore, pavarësisë së mediave dhe korrupsionit.

Sipas organizatës, krahasuar me vitin paraardhës, Shqipëria shënoi rënie nga 3.50 në 3.25 pikë në fushën e qeverisjes demokratike, për shkak të një sërë krizash që prekën institucionet, duke përfshirë dorëheqjen në bllok të opozitës parlamentare, një procedure për shkarkimin e Presidentit dhe përplasjeve mes gjykatave dhe parlamentit.

Në sferën e procesit zgjedhor, Shqipëria ra nga 4.50 në 4.25 pikë, për shkak të bllokimit të reformës zgjedhore dhe konfliktit politik lidhur me zgjedhjet e parakohshme vendore, thotë Freedom House.

Në raport thuhet se edhe korrupsioni vazhdoi të ishte shqetësues në vitin 2019, ndërkohë që arritjet modeste në luftën kundër korrupsionit të vogël mbetën në hije për shkak të shqetësimeve serioze për pandëshkueshmërinë. Në vitin 2019 u shtuan po ashtu shqetësimet për korrupsionin e madh dhe kapjen e shtetit.

Freedom House thotë se zhvillime veçanërisht shqetësuese u vunë re në procesin legjislativ dhe zbatimin e ligjit për koncesionet dhe PPP-të. Parlamenti miratoi disa ligje për PPP konkrete dhe projekte koncesionare, megjithë paralajmërimet e organeve ndërkombëtare dhe ekspertëve vendas.

Në të njëjtën kohë, pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë vazhdoi të ishte problem në vitin 2019, thotë organizata.

Prokuroria, thuhet në raport, nuk arriti të hetojë me shpejtësi akuzat e ngritura nga Partia Demokratike (PD) dhe media për rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë bashkie në Dibër dhe zgjedhjeve të përgjithshme të 2017 në qarkun e Durrësit.

Viti 2019 ishte një sfidë edhe për mediat e pavarura, të cilat u vunë nën kërcënim si nga një paketë legjislative kundër shpifjes e miratuar nga Parlamenti ashtu edhe nga goditjet e vazhdueshme të qeverisë ndaj medias online, thotë raporti.

Qeveria, si dhe bizneset dhe grupet kriminale, u përpoqën të fitojnë ndikim të jashtëm mbi median, ndërsa pronarët e mediave rregullisht i përdorin ato për të favorizuar interesat e tyre të biznesit ose ato politike. Kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Socialiste vazhduan ta kritikojnë median shqiptare si një “kazan plehrash” dhe kërcënuan gazetarët me akuza për shpifje, thotë Freedom House.

Në raport përmendet se Bashkimi Evropian e shtyu dy herë vendimin për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke dëmtuar besueshmërinë e vet dhe duke rrezikuar seriozisht arritjet e reformave në të dyja vendet. /VOA

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ministrja e Arsimit Besa Shahini, me anë të një statusi në “Facebook” shkruan për ndarjen nga jeta për shkak të koronavirusit të një mësu

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, me anë të një statusi në “Facebook” ka kujtuar Neshet Shenën, kolonelin që u nda nga jeta sot pas një

Me dhjetëra e qindra janë mesazhet prekëse në rrjete sociale për ndarjen e parakohshme nga jeta të të riut durrsak Xhino Koça.

Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar të dhënat lidhur me situatën e Covid-19 në vendin tonë.

Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

Shkrimtarja Flutura Açka përmes një postimi në Facebook rendit disa fakte me të cilat përballet në përditshmëri çdo shqiptar.

Kjo është fabrika e përpunimit të drurit dhe të prodhimit të paletave që është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Ekipi i mjekëve italianë të cilët trajnuan mjekët shqiptarë për dy javë në luftën ndaj Covid-19, janë kthyer në vendin e tyre.

Pasi u shërua nga COVID-i, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka rrëfyer për Report Tv betejën e tij 14 ditore me këtë virus. 

Pavarësisht pandemisë së koronavirusit, turistët e huaj vijojnë të zgjedhin qytetin bregdetar të Durrësit për të kaluar pushimet.