26 dhjetor 2013- “Zhduken” pamjet e kamerave të sigurisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për kohën kur ndodhi ndërhyrja që fshiu në server 4.3 milionë deklarata tatimore. 

Me anë të një shkrese zyrtare, Drejtoria e Tatimeve i kthen përgjigje negative kërkesës së Prokurorisë për materialet e regjistruara nga kamerat filmike. Pak ditë më parë, përgjigjja e firmosur nga drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj, ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës. 

Në këtë përgjigje, sipas burimeve, thuhet se “kërkesa e Prokurorisë për dorëzimin e materialeve filmike nuk mund të realizohet, pasi materialet në fjalë nuk disponohen”. Duke përshkruar përgjigjen e Drejtorisë së Tatimeve, burimet thanë se në shkresë sqarohet fakti se sistemi i kamerave të sigurisë në këtë institucion është i programuar në mënyrë të tillë që të fshijë automatikisht çdo dy ditë materialet e regjistruara. 

Pergjigja e Drejtorise se Përgjithshme të Tatimeve ka vënë në rrezik hetimin, pasi imazhet e kamerave të sigurisë brenda zyrave të Tatimeve mund të zbardhin detaje konkrete nga koha dhe personat që kanë ndërhyrë në server, duke fshirë 4.3 milionë deklarata tatimore. Pavarësisht përgjigjes negative të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, mësohet se prokuroria i ka siguruar pamjet filmike në fjalë. Materialet janë sekuestruar nga Prokuroria e Tiranës ditën e premte rreth orës 16:00..

/ panorama /