Java e parë e gushtit ka shënuar rritje të fluksit të pushuesve në bregdetin Adriatik. Është fundjava e parë që pushuesit nga Kosova kanë mbushur plazhin. Ata kanë lënë mënjanë situatën e krijuar nga pandemia Covid-19 për të marrë rreze e për të pushuar për disa ditë në bregdetin e Durrësit ku kanë gjetur çmime shumë të lira akomodimi që nisin nga 10 euro deri 15 euro nata për një familje.

Megjithatë pushuesit nga Kosova shprehen se nuk kanë asnjë mundësi ku mund të denoncojnë problematikat që hasin në rrugëtimin e tyre në doganë apo edhe në bregdet, siç është rasti i një pushuesi që ka paguar për të hyrë në tokën shqiptare.

Në plazh këtë vit janë lënë edhe hapësira për publikun. Por siç edhe shihet nga pamjet pronarët e hoteleve nuk kanë respektuar asnjë masë antiCovid në plazh. Çadrat dhe shezlongët janë fare pranë me njëri-tjetrin, aq sa distanaca nuk i kalon 50 cm nga çadra në çadër.

Sezoni turistik që është në muajin e fundit të tij është më i vështiri i kaluar ndonjëherë nga operatorët turistikë. Hotelet nuk kanë punuar më shumë se 30% të kapacitetit, ndërsa duke nisur nga baret, restorantet njësitë e shërbimit e dyqanet me pakicë në zonën bregdetare thonë se ky është sezoni ku duhet të përballen me mbijetesën e bizneseve ose falimentimin.

“Situata është shumë shumë dobët, as 20-30% e viteve të kaluara. Pushues nuk ka patur fare, mund të vijnë për një ditë fundjavave dhe kaq, plazhi bosh.”, shprehet një tregtar.

Pushuesit nga Europa mungojnë tërësisht në plazh me përjashtim të pak hoteleve që janë prentouar nga pushues prej Europës juglindore. Agjensitë turistike kanë bërë me dije se janë anuluar qindra prenotime nga pushues europianë por edhe emigrantët këtë vit nuk kanë ardhur në Shqipëri.

Tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës goditi rëndë Durrësin dhe industrinë e turizmit me shkatërrimin që solli ndërsa pandemia mbylli kufijtë me Europën e cila është furnizuesja kryesore e industrisë së turizmit me të ardhura.

K.H.