Rregullat e daljes për këtë fundjavë do të jenë të njëjta me të kaluarën për 5 bashkitë që janë ende zona të kuqe. Por në urdhrin e ri për fundjavën ka kontradikta.

Kryeministri Edi Rama njoftoi mbrëmjen e djeshme se kjo fundjavë do të jetë me të njëjtat rregulla si e kaluara pa asnjë ndryshim me përjashtim të orarit, që të shtunën dhe të dielën e kaluar ishte deri në 17:30, ndërsa këtë fundjavë deri në 21:00.

“Kjo fundjavë do të vijojë njësoj si e shkuara, ta kaloni sa më qetë”, kaq tha Rama.

Por cilat janë rregullat? Sot dhe nesër pensionistët lejohen të dalin lirisht deri në orën 10:00. Të gjithë të tjerët në shtëpi brenda kësaj fashe orare. Prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç do të lejohen të dalin lirisht nga ora 11:00 deri në orën 17:30.

Në urdhër theksohet se sot do të qëndrojnë hapur ushqimoret dhe farmacitë deri në 21:00, ndërsa të shtunën e kaluar ishin deri në 17:30. E diela është pushim.

Të shtunën dhe të dielën do të ndalohet kategorikisht qarkullimi i automjeteve private, bazuar te fundjava e kaluar. Këto masa janë vetëm për zonat e kuqe, që janë 5 bashki; Tiranë, Durrës, Shkodër, Kurbin dhe Krujë.