Kreu i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik në Durrës Artur Çela firmos shkarkimin e katër inspektorëve nga puna.

Propozimet për shkarkimin nga puna, kryeinspektori Çela ia ka dërguar në zyrë kreut të bashkisë Vangjush Dako.

“DurrësLajm” mëson nga burime të sigurta brenda bashkisë se kreu i bashkisë e ka shqyrtuar me detaje listën e katër emrave të propozuar nga Çela për shkarkim, dhe ka vendosur direkt largimin e një prej tyre nga puna, ndërsa nuk është vendosur akoma fati i tre inspektorëve të tjerë.

Çela e ka argumentuar largimin e katër vartësve të tij me performancë të ulët në punë, dhe sjellje e etikë jo në lartësinë e duhur.

Inspektorët e Inspektoriatit Urbanistik jo rrallë herë janë përfolur edhe për korrupsion apo allishverishe të tjera me ndërtimet me e pa leje që bëhen.

E sigurt është që kreu i bashkisë Vangjush Dako shumë shpejt pritet të marrë në shqyrtim edhe tre emrat e tjerë të propozuar nga vartësi i tij për largim nga puna.

Nuk dihet nëse emrat e propozuar nga Çela janë të PS-së apo të LSI-së, por një gjë është e sigurt kjo ka shkaktuar “ethe” e panik te punonjësit e bashkisë së Durrësit të cilët kanë marrë vesh lajmin.

Kush e ka radhën e çfarë po ndodh në këtë institucion, punonjësit e të cilit duhet të kenë patur më parë besimin e kreut të bashkisë? “DurrësLajm” u interesua pranë këtij inspektorati dhe inspektorët e tij nuk dinin gjë akoma.