Prej datës dy të këtij muaji, në qytetin e Durrësit ka vijuar procesi i vaksinimit antiCovid.

Mësohet se prej ditës së martë, kur mori start fushata “Shqipëria buzëqesh” e deri më sot, në qytetin bregdetar janë vaksinuar mbi 300 individë.

Personat që kanë marrë vaksinën kundër Covid-19 janë kryesisht staf mjekësor dhe qytetarë të moshës së tretë. Burimet zyrtare thonë se procesi vijon qetësisht dhe pa asnjë problematikë prej 5 ditësh.

Fushata e vaksinimit “Shqipëria buzëqesh” zhvillohet në ambientet e brendshme të pallatit të sportit “Ramazan Njala”, ku janë ngritur 10 poste vaksinimi.

Sa i përket përzgjedhjes së moshës së tretë të qytetit bregdetar, ministrja Ogerta Manastirliu tha më herët se është bërë nga mjeku i familjes, i cili është ai që e përcakton mbi bazën e ditëlindjes.