Gazetari i njohur durrsak, Thanas Mustaqi i është rikthyer vrasjes së një mikut të tij, ngjarje e ndodhur 21 vite më parë dhe ende e pazbardhur.

Në një postim të Facebook, Mustaqi kujton mikun e tij Uran Sabriu, atë që ai e quan ‘dëshmor monumentesh’. Sabriu humbi jetën, pasi ndërhyri të ndalonte grabitësit që vodhën objekte të kulturës ilire nga muzeu arkeologjik i Durrësit.

“Kundër grabitësve ndërhyri Uran Sabriu, që kishte një kioskë përballë muzeut, por e vranë. Miku im Uran Sabriu ishte një dëshmor monumentesh. Por askush nuk u kujtua ta nderojë. As objektet nuk u gjetën dhe tani pas 21 vjetësh”, shkruan Mustaqi në postimin e tij.

Në foton që shoqëron postimin e tij, gazetari i vjetër durrsak ka publikuar një nga objektet e grabitura nga muzeu arkeologjik në vitin e mbrapshtë ’97 dhe që ende nuk janë gjetur.

Postimi i plotë i Thanas Mustaqit:

Pranga në këmbët e një skllavi, objekt i shekullit III para erës së re. Ndodhej në muzeun e vjetër (ndërtesa) arkeologjik. U vodh në mars 1997 nga njerëz të paguar, me sa duket, nga punonjës të brendshëm të muzeut. Grabitësit ishin të orientuar të merrnin objekte të kulturës ilire dhe jo objekte me vlerë tregtare sikurse janë vazot, që në tregun ndërkombëtar kushtojnë miliona dollarë. Jo vetëm ky objekt, por edhe të tjera u vodhën. Kundër grabitësve ndërhyri Uran Sabriu, që kishte një kioskë përballë muzeut, por e vranë. Miku im Uran Sabriu ishte një dëshmor monumentesh. Por askush nuk u kujtua ta nderojë. As objektet nuk u gjetën dhe tani pas 21 vjetësh.