Një fëmijë 11-muajsh ka rrezikuar jetën mbrëmjen e shkuar teksa ka kapërdirë një copë metalike që dyshohej nga prindërit si një monedhë leku ose një bulon metalik.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 në lagjen numër 13 në plazhin e Durrësit, ku ishte nëna e para që konstatoi problemin në rrugët e frymëmarrjes me fëmijën e saj 11 muajsh.

Fëmija është dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit, ku i është dhënë ndihma e parë nga mjekët pediatër. Ata kanë konstatuar pas një ekoje të kryer një trup të huaj në barkun e fëmjës.

Vogëlushi është dërguar në spitalin e pediatrisë së Tiranës për mjekim të specializuar .

“DurrësLajm” kontaktoi me shefin e pediatrisë, mjekun Fatmir Shahini, i cili tha se rastet e incidenteve të tilla janë të shumta në qytetin e Durrësit.

“Një vogëlush në Durrës erdhi për herë të dytë brenda një viti, pasi kishte gëlltitur një send të huaj. Në fillim kishte gëlltitur lekë, ndërsa në rrugët e frymëmarrjes i gjetëm një copë letër .

Tek një fëmijë tjetër në hundë i gjetëm një kokërr fasule”, thotë mjeku.

Mungesa e vëmendjes maksimale nga ana e prindërve tek të vegjlit mund të sjellë pasoja fatale nëse kalojnë sende të huaja në rrugët e frymëmarrjes.

Mjeku tha se si pasojë e mungesës së vëmendjes, kalimi i trupave të huaj në gojë nga ana e fëmijëve  mund të sjellë pasoja fatale. Mjekët e pediatrisë së Durrësit, rastet e vështira kur konstatohen trupa të huaj në stomakun e fëmijëve, i dërgojnë në pediatrinë e Tiranës.

K.H.