Gjenden 9 nepalezët që u larguan duke braktisur bagazhet dhe dokumentacionet në një hotel në Durrës. Sipas burimeve policore, mësohet se uniformat blu i kanë gjetur mbrëmjen e së hënës në Tiranë, por pa u zbuluar arsyeja pse i kishin braktisur bagazhet dhe i ishin drejtuar kryeqytetit, e çfarë po bënin në orët e e vona të natës në Tiranë.

Nëntë shtetas të huaj nga Nepali u bënë protagonistë të një ngjarjeje të paprecedentë në Durrës. Të ardhur në shtetin tonë përmes pikës kufitare të Rinasit, me qëllim për t’u punësuar si marinarë në një anije në Durrës, ata u zhdukën pa lënë gjurmë, por duke lënë pas bagazhet dhe dokumentacionet e tyre.

Ata mbërritën të premten më datë 9 mars në Rinas, e më pas janë akomoduar në një hotel në Durrës. Por një ditë më pas, më 10 mars, ata u larguan nga hoteli duke braktisur bagazhet dhe nuk u kthyen më, çka çoi uniformat blu të nisnin punën për gjetjen e tyre, deri sa u gjendën mbrëmë në kryeqytet.