Gjeneral Piacentini ishte komandanti i trupave italiane në Shqipëri në momentin e ndryshimit të kryeqytetit. Në mënyrë aksidentale, duke mos lejuar qeverinë dhe regjencën të hynin në Durrësit, me urdhrin e tij, ai përcaktoi kryeqytetin e ardhshëm të Shqipërisë.

Autoritetet italiane të pushtimit, me anë të të dërguarit të Piacentinit, deklaruan më 31 janar 1920 se nuk i njihnin vendimet e kongresit. Komandanti i Divizionit XIII me qendër në Durrës, gjeneral Raimondo, me urdhër të gjeneral Piacentinit, ndaloi hyrjen në Durrës të autoriteteve të zgjedhura në Lushnjë, si edhe të çdo personi të armatosur. Ndërkohë ishin hequr simbolet kombëtare shqiptare dhe qe shpallur shtetrrethimi, më 3 shkurt 1920. Në Durrësi ishte vetëm një ministër i qeverisë shqiptare. Ushtria italiane në atë kohë numëronte 33 mijë ushtarë. Për të shmangur përplasjen me fuqitë italiane, autoritetet e dala nga mbledhja e Lushnjës, morën rrugën për në Shijak, me plan për t’u vendosur në Tiranë, ku filluan të bëhen përgatitjet e rastit. Komandanti vendor italian Orlando Freri, thirri pa vonesë parinë e Tiranë dhe u lexoi një mesazh të gjen. Piacentinit, ku theksohej “veprimi armiqësor i Francës dhe Anglisë” ndaj Shqipërisë.

Qeveria e drejtuar nga zëvendëskryeministri Eshref Frashëri dhe forcat e ministrit të Punëve të Brendshme, Ahmet Zogut, i dërgoi një notë proteste trupave italiane dhe iu shmang përplasjes me ta. Për shkak të kundërshtimit italian, qeveria e re vendosi të udhëtonte për në Tiranë më 11 shkurt 1920. Këshilli i Ministrave, më 12 shkurt vendosi që t’i dërgohej një letër kryekomandantit italian për heqjen e shtetrrethimit të qytetit, që të lajmëroheshin prefekturat e shtetet e mëdha për fillimin e punës të qeverisë, të përgatiteshin vulat e reja e të hartohej një raport për çështjet e administratës.

Më 15 shkurt 1920, Qeveria e Tiranës i kërkoi gjeneralit italian Orlando Freri-t, mosnjohjen e mospërkrahjen ndaj Qeverisë së Durrësit. Midis qeverisë dhe autoritetit ushtarak italian të Tiranës filluan bisedimet, pas të cilave, italianët njoftuan Qeverinë e Tiranës se mund të administronte edhe qytetin e Durrësit dhe se një forcë e vogël ushtarake mund të merrte në dorë aktet e qeverisë. Treshja e Qeverisë së Durrësit pati vullnetin dhe kurajën t’ia dorëzojë qeverisë së re edhe arkivat e saj. Komisioni i Qeverisë së Tiranës mori në zotërim administratën e Qeverisë së Durrësit më 22 – 23 shkurt 1920. Çudia më e madhe është se qeveria dhe regjenca vijuan të qëndrojnë në Tiranë, si duket edhe nga pasiguria që mund të kishin në Durrës. Në rast se gjeneral Piacentini nuk do jepte urdhrin për të mos lejuar hyrjen në Durrës që qeverisë dhe regjencës, mbase Tirana nuk do bëhej kurrë kryeqytet i Shqipërisë. Gjenerali vdiq në Itali në vitin 1921.