Gjykata e Durrësit ka liruar të kërkuarin për trafik droge në Itali, Alket Hatija, i cili u arrestua me datë 8 korrik në qytetin e Durrësit, pas bashkëpunimit të policisë shqiptare me atë italiane.

Gjykata e ka nxjerrë në masë sigurie duke e lënë të lirë. Ndërkohë prokuroria kërkoi 40 ditë burg për ekstradimin e tij në Itali. Kërkesa për Hatijan nuk u pranua nga gjykatësi Petraq Curri. Burime nga prokuroria thonë se vendimi i gjykatës është i paligjshëm.

44-vjeçari prej kohësh dërgonte qindra kilogramë heroinë dhe kokainë nga Shqipëria në Itali, sipas medieve italiane. Pas informacioneve të marra nga autoritetet e Milanos, policia shqiptare ka mundur të kapë Hatijën, që e kërkonin në kuadër të një dënimi në mungesë me 20 vjet burg.

“La Sicilia” shkruan se agjentët shqiptarë e kanë arrestuar në Durrës, teksa Hatija po shkonte të takonte një mikun e tij. Gjithashtu u zbulua se duke Hatija jetonte në një vilë me bunker në Berat dhe ruhej gjatë gjithë kohës nga truproja të armatosura.

Dënimi për të u dha pasi akuzohet për transportimin në Milano, në vitet 2003-2004 të 350 kilogramëve heroinë dhe 190 kg kokainë. Ngarkesa këto me vlerë 35 deri në 45 milionë euro.