Policia e Shtetit ka goditur familjen kriminale Avdyli në Shijak duke arrestuar tre vëllezërit, kushëririn e parë të tyre dhe  mbi 20 anëtarë të bandës që akuzohet për trafik heroinë në Shqipëri dhe në Gjermani, ndërsa numëron dhjetëra biznese, mes tyre hoteli luksoz në Durrës ‘Germany’.

Të arrestuar janë vëllezërit; Astrit Avdyli, që është koka e bandës, Flamur Avdyli dhe Shkëlqim Avdylin. Ndërsa përpos tyre u prangos kushëriri i parë, Jasim Avdyli së bashku me H. Hoxha, të dënuar në Turqi për trafik heroine dhe mbi 20 persona të tjerë.

Flamur Avdyli u dërgua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës pas arrestimit pasditen e sotme në Shijak nga RENEA dhe FNSH.

Familja Avdyli është pronare e dhjetëra bizneseve në Shijak, Durrës dhe disa qytete të tjera të vendit, mes tyre kompania 'Orges Albania 2016' dhe hoteli luksoz ‘Germany’ në Durrës.

Flamur Avdyli është emigrant prej vitesh në Gjermani, ndërsa akuzohet për trafik heroine në Gjermani dhe disa vende të tjera të Europës. Operacioni u paralajmërua pak ditë më parë nga ministri Fatmir Xhafaj /Shqiptarja.com