Deputetët e "opozitës së re" në Parlament kanë kërkuar zhvillimin e një seance urgjente me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, lidhur grabitjen spektakolare në aeroportin e Rinasit.

Kërkesa është firmosur nga deputetët e listave, të cilët do të kërkojnë në seancë plenare sqarime nga ministri Lleshaj.

Sipas kërkesës së depozituar në Kuvend, interpelanca do të parashtrohet nga deputeti Ralf Gjoni, ndërsa zhvillimi i saj do të bëhet nga deputeti i PD-së, Myslim Murrizi.

Në kërkesën e deputetëve të rinj, kërkohen shpjegime për “planin e masave të marra nga institucionet ligjzbatuese për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, si dhe për zbatimin e legjislacionit në fuqi për ruajtjen e rendit publik në ambiente e këtij objekti strategjik të rëndësisë së veçante në territorin e Republikës së Shqipërisë”, thekson letra.