“Fëmijët nuk e kanë marrë ende veten nga tërmeti. Tani pamë dhe qametin që hajduti me armë na hyri brenda. Qeveria duhet të pynojë pak e të mos i lërë pa kapur këta persona. Sot burgu është bërë si hotel, ata hyjnë e dalin sa herë iu do qefi. Ne si do jetojmë? Si do bëjmë? Se deri mbrëmë kishim policinë që na rrinte në shtëpi? Ne kemi frikë si jetojmë, kur në orën 20:30 të mbrëmjes hajduti të hyn në shtëpi me armë?”

Ky është apeli që bën Sadete Terziu, nëna e tre djemve që jetojnë e punojnë në plazh. Familja Terziu ka mbërritur nga Dibra vite më parë në zonën e plazhit, ku kanë ndërtuar banesat e tyre, por  “qetësia” është prishur që prej asaj nate kur në banesë hyri hajduti me armë në dorë.  

Astrit Thaçi, autori i dyshuar i plagosjes dhe tentativës së grabitjes, i maskuar e me armë zjarri është ende në kërkim policor nga uniformat e Durrësit.

“Skifteri” i ka shpëtuar deri tani kapjes, pavarësisht se nga policia është autor i dyshuar edhe i grabitjes së një milion lekëve në pikën e dhënies së kredive pranë stacionit të trenit në Durrës, në fund të javës së shkuar. Sipas policisë, Thaçi 26-vjeçar konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore për aq kohë sa është i armatosur dhe brenda 48 orëve planifikoi dy vjedhje, kur të parën e realizoi me përpikëmërri në pikën e dhënies së kredive.

Në familjen Terziu ku ai tentoi të vidhte por u pikas nga të zotët e shtëpisë, dhe pas përleshjes me ta plagosi 42-vjeçarin Rexhep Terziu, frika është ende prezente. E zonja e shtëpisë tregon se prej asaj mbrëmjeje janë të frikësuar si fëmijët ashtu edhe të rriturit, për aq kohë sa autori ende nuk është kapur.

Sadete Terziu tregoi se autori i tentativës së vjedhjes iu hyri brenda banesës, ndërsa djali i saj i shpëtoi plumbave. E moshuara tregoi se i bëri thirrje djalit dhe kunatit të mos e ndjekin hajdutin sepse i trembej plumbave që po shtinte.

Ndërsa djali i saj i shpëtoi plumbave, kunati Rexhep Terziu, u plagos me dy plumba në këmbë, ndërsa hajduti u largua në errësirën e natës duke ju fshehur policisë.

K.H.