Shqiptarja Ariana Bariaba do të kandidojë këtë të dielë për një vend në këshillin bashkiak të Athinës. Bariaba ka publikuar një video në Facebook-un e saj, ku në gjuhën shqipe i kërkon bashkëkombësave të saj që ta mbështesin në zgjedhjet e 26 Majit.

Më 26 Maj janë zgjedhjet lokale në Greqi. Për herë të parë na jepet mundësia të zgjedhim dhe të zgjidhemi. Unë personalisht si bashkudhëtare e gjithë situatave dhe problemeve tuaja, por dhe si nënë, për një të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë në shoqërinë Greke, pranova kandidimin tim për këshillin bashkiak të Athinës me kualicionin “Athina je ti” e Pavlos Gerulanos.  Votoni të ardhmen tuaj. Votoni të ardhmen e fëmijëve tanë. Votoni për një Athinë me të pastër, më miqësore, më të gjallëruar, më krijuese dhe më të drejtë . Është një moment historik që nuk duhet ta humbasim. Votoni Ariana Bariaba,”- shprehet ajo. 

Ariana nuk është e vetmja shqiptare që konkuron në një vend të huaj për një post vendimmarrës. Po ashtu në Itali, ditën e nesërme do të zhvillohen zgjedhjet administrative, datë kjo që përkon me zgjedhjet në parlamentin europian. Për zgjedhjet administrative do të garojë shqiptarja Nada Zhiti, ndërsa për ato në parlamentin europian kandidon Geri Ballo.