Ashtu si në të gjithë vendin, edhe në Durrës këtë të hënë ka startuar zyrtarisht viti i ri mësimor 2020-2021, një vit i pazakontë për shkak të Covid-19.

Me çanta mbi shpinë e lule në duar për mësuesen, mëngjesin e sotëm nxënësit janë rikthyer në bankat e shkollës, nga të cilat ishin shkëputur që prej nisjes së pandemisë.

Bashkë me fëmijët, jashtë ambienteve të shkollave në qytetin bregdetar qëndronin të grumbulluar prindërit, ku duket edhe shkelja e protokollit të vendosur nga ministria e Shëndetësisë; vendosja e maskës dhe ruajtja e distancës.

Rikthimi i fëmijëve në shkolla sipas prindërve është gjëja e duhur pavarësisht numrit të lartë të të infektuarve nga Covid. Ata shprehen se nëse respektohen masat anticovid, çdo gjë do të vijojë normalisht.

“Po u mbajtën rregullat, të mbajnë maskën, të ruhet distanca çdo gjë do të shkojë normal. I ruajt Zoti. Nëpër shpia ishte kot, (mësimi). Sa ju hanin kohën kot, vetëm boshlliqë kanë. Shkolla është ajo që plotëson gjithçka”, thotë një prind.

“Më mirë në shkollë, në shtëpi është e vështirë”, shprehet një tjetër.

Në total, në Durrës janë plot 24 624 nxënës që sot nisin mësimin me turne, nga të cilët 1777 për herë të parë; 1448 në shkollat publike dhe 329 në ato private, ndërsa rreth 2400 janë maturantë.