Grupi i Shijakut dërgohet për gjykim, sekuestrohen hotele e makina me vlerë 5 milionë euro

20/01/2020 - 14:02

Janë sekuestruar paraprakisht rreth 300 mijë metra katrorë tokë dhe hotele e makina me vlerë 5 milionë euro, nga pronat e grupit që u bë i famshëm edhe për përgjimet e dosjeve të krimeve zgjedhore 339 dhe 339/1.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njohur nga akronimi në anglisht SPAK, bëri të ditur se ka paraqitur në gjykatë çështjen e parë të nxehtë që ajo e ka trashëguar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila lidhet me më grup të gjerë kriminal të akuzuar për trafik droge me bazë qytetin e Shijakut në Shqipërinë qendrore.

Sipas një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të SPAK në internet, të dyshuarit që përfshijnë të pandehurit Astrit Balliu (alis Avdyli,Sulejmani), Altin Avdyli, Jasin Kala (alias Avdyli), Gjevi (alias Xhevahir) Ndoka (vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka) e të tjerë, janë dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar. Ata akuzohen mes të tjerash për trafik droge, organizatë e sturkturiar kriminale, pastrim parash etj.

E njohur si Dosja Nr.339/2016, çështja në ngarkim të këtyre të të pandehurve është riemëruar Procedimi Penal Nr.29/1, i vitit 2019.

“Deri tani në kuadër të këtij procedimi penal janë dërguar për gjykim gjithsej 63 të pandehur,” bëri të ditur SPAK.

Një nga të dyshuarit e çështjes, turku Nejdet Cesuroglu, u gjet i vdekur në Prishtinë në janar 2019 krahas 113.5 kilogramëve heroinë.

Sipas prokurorisë, grupit të dyshuar kriminal i janë sekuestruar deri tani 300 mijë metër katrorë truall në bregdet, të cilat dyshohet se janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme pasi janë pronë publike, si dhe janë bllokuar hotele, apartamente e automjete me një vlerë prej rreth 5 milionë euro.

Hetimet për këtë grup nisën në vitin 2016 për dyshimet për trafik droge, por përgjimet e grupit kriminal dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër, zbuluan mes të tjerash një angazhim të të dyshuarve jo vetëm në trafikun e drogës por edhe në mbështetjen e zyrtarëve të ndryshëm socialistë në fushatat e tyre zgjedhore në zgjedhjet e parakohshme në Dibër në 11 shtator 2016 si dhe më pas, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2017, në të cilat, Partia Socialiste arriti fitoren e vet më të madhe politike në 15 vjet.

Prokuroria kreu arrestimet e të dyshuarve në tetor të vitit 2018, nëpërmjet operacionit të quajtur “VOL-VO 4”. Bashkë me të dyshuarit për trafik, në pranga ranë ish-deputeti socialist Arben Ndoka dhe vëllai i tij Gjevi Ndoka, si dhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, gjithashtu ish-deputet socialist, Arben Çuko.

Arben Ndokës iu sekuestruan edhe 300 mijë metra katrorë tokë në vendin e quajtur Mali i Renzit në Shëngjin.

Në janar 2019, dy investigime të BIRN të mbështetura në dokumentet e prokurorisë mbi këto hetime, zbuluan se si hetimi mbi grupin kriminal me shtrirje të gjerë në të gjithë Shqipërisë kishin kapur edhe aspekte të tjera të korrupsionit, përfshirë një praktikë të gjithëpërhapur të ndërhyrjeve partiake për punësimin në administratën e burgjeve si dhe përfshirjen në shkallë të gjerë të grupeve të krimit të organizuar në blerjen e votave për llogari të Partisë Socialiste.

Pak para zgjedhjeve për pushtetin vendor 2019, tablloidi gjerman BILD publikoi një seri të gjerë përgjimesh audio në të cilat zyrtarët më të lartë të Partisë Socialiste, dëgjohen duke folur me persona të mbajtur nën përgjim nga policia për efekt të hetimit ndaj këtij grupi kriminal.

Në një rast, Astrit Avdyli, një person me të shkuar penale që konsiderohet edhe si një nga drejtuesit e dyshuar të organizatës kriminale, dëgjohet duke folur për kandidimin e një personi me emrin Ilir Ndraxhi si deputet socialist për zonën e tij, duke premtuar edhe se do të punonte fort për një rezultat të mirë zgjedhor për socialistët.

Nga përgjimi, Avdylaj duket se ka pasur ndikim në përcaktimin e Ndraxhit në listën  e deputetëve socialistë të Durrësit. Në një bisedë tjetër, drejtori i kompanisë së Ujësjellësit dhe Kanalizimeve të Durrësit urdhërohet të raportojë te Avdyli se cilët nga punonjësit e ujësjellësit dyshohet se janë mbështetës të opozitës, me qëllim “shkundjen”e tyre për të votuar Partinë Socialiste, ndërsa në një tjetër rezulton se zgjidh probleme me regjistrimin e pronave në hipotekën e Durrësit. / BIRN

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Në sheshin “Liria” në Durrës vijojnë përgatitjet për maratonën sensibilizuese të ditës së diel, “Një hap për Durrësin”.

Klubi i qytetit të Peshkopisë, Korabi, i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të kryebashkiakut të Rogozhinës Haxhi Memolla për ndarjen n

Përpara Ministrisë së arsimit, ekipi i Qëndresës Qytetare, zhvilloi një protestë kreative në formën e ekspozitës. Njëra pas tjetrës u ren

Është ndarë nga jeta kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Haxhi Memolla. 

Lista me personat që duhet të justifikojnë pasurinë, për të cilët ka dyshime se forta se është vënë përmes aktivitetit kriminal nuk i kan

Edvin Prifti, shefi i shërbimit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, ka ngritur alarmin se në QSUT nuk mund t

Bashkia e Durrësit njofton të gjithë qytetarët se të dielën (nesër) më 23.02.2020 do të zhvillohet aktiviteti “Një hap për Durrësin”, pra

Dy rastet e vdekjeve nga koronavirusi në shtetin fqinj përtej Adriatikut, kanë alarmuar jo pak edhe shqiptarët, të cilët sëmundjen vdekje

Bashkia e Durrësit njofton se ka filluar këtë të premte, lëvrimin e këstit të dytë të bonusit të qirasë.

Si çdo fundjavë, vijon kontrolli i Policisë Rrugore me radar e drager në të gjitha rrugët urbane dhe interurbane.