Tensione mes banorëve të Astirit dhe Policisë. Në një kohë kur sot IKMT ka nisur aksionin për shembjen e disa objekteve në këtë zonë, që preken nga ndërtimi i Unazës së Re, banorët kanë kundërshtuar.

Këta të fundit kanë bërë rezistencë, duke i goditur me gurë dhe sende të forta efektivët e policisë që ndodhen në vendngjarje.

Nga përplasja e dhunshme, policia ka shoqëruar disa persona, ndërkohë që nuk ka ende një njoftim zyrtar mbi numrin e të shoqëruarve. Nga tensionet e krijuara kanë mbetur të lënduar disa punonjës policie dhe banorë të cilët janë dërguar për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore

Policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e njerëzve, ndërsa banorët i kanë vënë zjarrin dhe një tende.

Ndërkohë trafiku në kryeqytet është tejet i rënduar, pasi Policia ka bllokuar përkohësisht lëvizjen në të dy krahët e Unazës së Re, deri në përfundim të aksionit të IKMT-së.

Njoftimi nga policia

Policia Rrugore e Tiranës ka bllokuar përkohësisht lëvizjen në të dy krahët e Unazës së Re, deri në përfundim të aksionit të IKMT për shembjen e disa objekteve, që do t’i hapin rrugë projektit të ri.

Ky devijim bëhet për të shmangur rrezikun gjatë lëvizjes në këtë aks, ku po punohet me mjete të rënda.

Policia Rrugore kërkon mirëkuptimin e gjithë qytetarëve, për vështirësitë që mund të hasin gjatë këtij bllokimi të përkohshëm.