Konsullata e nderit e Turqisë, e para përfaqësi diplomatike turke në rrethe, është hapur në Durrës. Interesimi i madh i bizneseve turke që operojnë në portin e Durrësit, ka rritur edhe nevojën e shtetasve turq për shërbime konsullore sa më pranë zonës ku veprojnë. Sipas ambasadorit turk në vendin tonë, Murat Ahmet Yörük, pas Tiranës, Durrësi me portin më të madh në vend është qyteti me më shumë lëvizje dhe ku ndodhet një prani e rëndësishme e biznesit turk. 

''Durrësi është një pikë e rëndësishme strategjike ku kryqëzohen të gjitha llojet e transportit. 10% e mallrave që përpunohen në portin e Durrësit më i madhi në vend vijnë nga Turqia.'', tha diplomati i huaj.

Diplomatët turq bënë të ditur se detyrë e konsullatës së Durrësit do të jetë bashkëpunimi me autoritetet vendore dhe ndjekja e çështjeve të shtetasve turq, përfshirë dhe ekuipazhet me marinarë turq të anijeve, që veprojnë e jetojnë në zonën e Durrësit. Hapja e kësaj përfaqësie diplomatike vlerësohet si një mundësi që do t'i çojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mbrojë interesat e përbashkëta të shtetasve turq, po dhe atyre shqiptarë që kanë lidhje biznesi apo familjare me ta.

Ambasadori turk dhe përfaqësia diplomatike që e shoqëronte kanë zhvilluar më herët takime me kryebashkiakun Vangjush Dako, me titullarët e portit e të qeverisjes lokale.

K.H.