Ashtu siç u njoftua dy ditë më parë, sot është hapur tregu i fruta-perimeve në Durrës, por me rregulla të reja dhe me numër të reduktuar tregtarësh.

300 tregtarët e licencuar për të punuar aty, janë njoftuar se do të punojnë me radhë, pra një ditë tregtarët e banakëve me numër tek dhe ditën tjetër tregtarët që kanë banakë me numër çift, siç mund ta shihni edhe nga pamjet filmike që përcjell këtë mëngjes “DurrësLajm”.

Në këtë mënyrë do të respektohet rigorozisht distanca e kërkuar mes tregtarëve, ndërsa e njëjta gjë do të kërkohet edhe nga qytetarët durrsakë, që do t’i drejtohen tregut agro-ushqimor për të bërë blerjet e nevojshme.

Për dy ditë radhazi, tregu iu nënshtrua dezinfektimit të plotë, ku u dezinfektuan tërësisht banakët, për të qenë gati për tregtarët që do të riktheheshin sot pas ndërprerjes 4-ditore, që nga ora 13.00 e së shtunës së javës së kaluar.

Ndërkohë, ditën që janë pushim në tregun kryesor, tregtarët mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre në një nga 3 tregjet e improvizuara: pranë shkollës “leonik Tomeu”, Muzeut të Deshmorëve dhe shkollës “Jan Kukuzeli”.