5 prioritetet kyçe mbeten çështjet kryesore për Bashkimin Europian, kur vjen puna tek rruga që duhet të bëjë Shqipëria drejt anëtarësimit. Ambasadori i BE në vendin tonë, Luigi Soreca tha se ka pasur progres në secilën prej këtyre 5 pikave, megjithatë ka ende shumë punë për të bërë.

“Çështjet kryesore janë ato që renditen në mënyrë ndoshta shumë burokratike, si 5 prioritetet kyçe. Reforma e administratës publike, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reforma e sistemit të drejtësisë dhe mbrojtja e pakicave. Ka pasur progres për secilën prej tyre, por ka ende shumë për të bërë.”

Gjatë intervistës së dhënë për gazetarin Blendi Fevziu këtë të martë në “Opinion”, Soreca u shpreh se aktualisht një vëmendje të madhe ka lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vendin tonë.

“Mendoj se të gjitha po përparojnë. Ka një kërkesë nga shtetet anëtare, nga këshilli, parlamenti, KE për t’i forcuar të gjitha sëbashku. Ka shumë vëmendje në këtë çast ndaj asaj që ndodh në Shqipëri në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, ndërsa të gjitha gjërat e tjera vazhdojnë të jenë shumë të rëndësishme”.

Por çfarë do të ndodhë në Qershor të vitit 2019? A do të jetë hapja e negociatave automatike, apo Shqipëria duhet të ketë më shumë rezultate para vlerësimit? Kësaj pyetje Soreca përgjigjet duke thënë se “nuk ka asgjë automatike”.

“Ne presim që KE të nxjerrë një raport, kjo është shkruar në konkluzionet e Këshillit. Do të nxjerrë një raport në pranverë, me qëllim që të konfirmojë vlerësimin e vitit të kaluar në bazë të progresit të bërë nga Shqipëria gjatë këtij viti dhe pikërisht këtu ne i nxisim autoritetet të vazhdojnë punën e mirë që kanë nisur dhe i çojnë në identifikim e udhës drejt hapjes së negociatave. Nuk dua të nënvlerësoj rëndësinë e konkluzioneve të Qershorit të kaluar. Për herë të parë Këshilli identifikoi një datë në të cilën do të merret vendimi për hapjen e negociatave. Por le të jemi të sinqertë, ky është fundi i fillimit, jo fillimi i fundit.”/tvklan.al