Duke filluar nga dita e hënë, hotelet në të gjithë vendin do të kenë akses për të aplikuar për hapjen e plazheve private. Hotelet dhe strukturat akomoduese do të kenë prioritet për të menaxhuar plazhet private para ndertesave që posedojnë nëpërmjet aplikacionit e-albania. Ministri i turizmit Blendi Klosi ka shpjeguar me detaje mënyrën se si do të funksionojnë këtë vit plazhet duke theksuar se procesi i aplikimit do të zgjasë dy javë, nga 1 deri në 15 qershor. Në takimin e Komitetit të Turizmit që është zhvilluar në mjediset e një hoteli në Golem, Klosi theksoi se ky do të jetë një vit i vështirë për turizmin për shkak të pandemisë, por do të bëhet maksimumin që nga 1 qershori ky sektor të ketë lehtësirat e domosdoshme.

Këtë vit, Ministria e Turizmit ka bërë një masterplan përsa i përket vijës bregdetare duke përcaktuar në gjithë territorin e vendit zonat e gjelbra që do të jenë plazhe publike dhe zonat e verdha si hapësira që do të menaxhohen nga hotelet si plazhe private. Klosi kërkoi nga përfaqësuesit e hoteleve që të marrin masa për menaxhimin sa më të mirë të plazheve duke përmbushur edhe protokollet e hartuara nga ministria e shëndetësisë kundër Covid 19.

Nga data 1 qershor vendi ynë hap të gjithë kufijtë tokësorë me vendet fqinje, ndërsa më vonë pritet të lejohen edhe lundrimet me Italinë si dhe linjat ajrore. Kjo do të jetë e kushtëzuar nga hapja që do të bëjnë vende të ndryshme, si për linjat detare, ashtu edhe ato ajrore.