Zjarrfikësit e Durrësit janë heronjtë e heshtur të qytetit, të cilët prej tre javësh janë në krye të detyrës në gadishmëri 24 orë. Ata janë aty ku i kërkojnë, duke lënë mënjanë edhe problemet e tyre sociale, që u shfaqën me tërmetin e 26 nëntorit. Ishin të parët që vrapuan aty ku i thirri alarmi, e janë po aq të angazhuar që prej asaj dite. Në terren këto ditë kemi gjetur të gjithë zjarrfikësit, të cilët po punojnë edhe në operacionet e shembjes së objekteve, të cilat u dëmtuan nga tërmeti, por edhe në pastrimin e inerteve që mbeten pas.

Pas tërmetit nxituan të dalin në krye të detyrës në operacionet e kërkim shpëtimit të personave të mbetur nën rrënoja. Shërbimi zjarrfikës i zonës së plazhit shpëtoi një prej biznesmenëve, i cili kishte mbetur nën rrënoja. Kreu i zjarrfikësve të Durrësit, Fatmir Tare, tha se “me mjetet që kemi, kemi zhvilluar të gjithë operacionet duke nisur nga kërkim shpëtimi i njerëzve nën rrënoja e deri tek pastrimi i inerteve. Në momentin që objektet prishen, zjarrfikësit qëndrojnë në gadishmëri duke hedhur ujë në rrënojat që krijohen”.

Komandanti i shërbimit zjarrfikës në zonën e plazhit, Durim Karaj, tha se “ata shpëtuan fillimisht pronarin e “Pespa Alumin”, i cili kishte mbetur nën rrënoja. Më pas kanë dhënë ndihmë aty ku ka patur më shumë nevojë. Ata punuan dhe e shpëtuan pronarin që kishte mbetur nën rrënoja dhe akoma më i vështirë u bë, pasi ra tërmeti i dytë dhe djemtë ishin nën rrënoja duke rrezikuar jetën e tyre. Djemtë janë duke punuar pa pushim, vetëm sa shkojmë një orë në shtëpi, sepse jemi të gatshëm e na thërrasin në çdo orë në punë. Zjarrfikësit kanë lënë shtëpitë e tyre, edhe ata i kanë shtëpitë e prishura nga tërmeti e familjet po ashtu të traumatizuara, por asnjë nuk është tërhequr nga detyra” – tha Karaj.

E ndërsa zjarrfikësit janë të parët që kërkohen nga popullata kur është në vështirësi, pagat e tyre janë shumë të ulta, aq sa familjet e tyre përballen me shumë vështirësi. Po ashtu, këta individë përballen me vështirësi të panumërta në punën e tyre të përditshme. Prej disa vitesh, shërbimi zjarrfikës varet nga bashkia e Durrësit, e cila duhet t’i rishikojë pagat e tyre, duke marrë shkas edhe nga javët e fundit, kur nga puna e tyre e shpejtë, e palodhur dhe e pandërprerë ka shpëtuar me dhjetëra njerëz. Nëse bashkia nuk ka financat e nevojshme për shpërblimin financiar, Këshilli Bashkiak duhet t’i nderojë me çmime dhe tituj nderi zjarrfikësit e Durrësit, që shpëtuan shumë njerëz, duke lënë familjet e tyre e duke vrapuar poshtë rrënojave që la tërmeti i 26 nëntorit.

K.H.