“Histori suksesi” e ka quajtur Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj punën e palodhur prej mëse dy dekadash dhe produktet cilësore të prodhuara nga kompania “Beba Cosmetic”, me administratore biznesmenen e njohur durrsake Elsa Balteza.

“Nënat e reja padiskutim e kanë provuar tek bebet e tyre kremin e vogël dhe cilësor.
Por, ndoshta pak kush e di se pas këtij produkti “Made in Albania” qëndron një grua që e ka prodhuar.
Ajo është Elsa dhe kompania e saj, një ndër markat e para të mbrojtura ka më shumë se 2 dekada në tregun shqiptar”,
– shkruan ministrja Denaj në një postim në rrjete sociale.

“Nevoja për regjistrimin e markës kombëtare ka ardhur si domosdoshmëri duke pasur parasysh eksperiencën shumëvjeçare në tregun shqiptar”, thotë Elsa Balteza në posterin e realizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale.

Në fillim të kësaj jave, drejtoresha e DPPI, Ledina Beqiraj ishte së bashku me stafin e saj në ambientet e kompanisë “Beba Cosmetic” për t’u takuar me administratoren Balteza.

Njëkohësisht Beqiraj zhvilloi edhe një takim me kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri, ku u ra dakort për nënshkrimin e një Memorandumi Bashkëpunimi mes dy institucioneve respektive, ngritjen e një sporteli të vetëm (one stop shop) i cili do të ofrojë promovimin e të drejtave të pronësisë Industriale si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe trajnimin e bizneseve lokale në qytetin e Durrësit.

#HISTORIPERSONALE Nënat e reja padiskutim e kanë provuar tek bebet e tyre kremin e vogël dhe cilësor. Por, ndoshta pak…

Posted by Anila Denaj on Thursday, January 21, 2021