Kompania britanike e taksive, ku punonte shqiptari Klement Çupi, i cili humbi jetën në tërmetin e frikshëm të 26 nëntorit 2019, ka vendosur të përkujtojë në mënyrë të veçantë ish-punonjësin e saj.

Kompania “001 Taxis” ka ngritur një memorial në nderim të Klement Çupit në zyrat e saj në Oksford.

Të pranishëm në zbulimin e memorialit, një stol i dedikuar për Çupin, ishte edhe e fejuara e tij, Liridona Suluka, kushërinjtë Marenglen dhe Artur Çupi si dhe daja, Mevlan Karaj, njoftojnë mediet britanike.

Kolegët e Çupit mbajtën homazhe para memorialit të tij. Klemet Çupi ishte në ditën e tij të dytë të vizitës në Shqipëri te prindërit në Thumanë, në momentin kur humbi jetën. Ai kujtohet nga të gjithë, pasi për shumë orë me rradhë komunikoi me ekipet e shpëtimit live në televizion, por nuk arriti të dilte i gjallë nga rrënojat që i kishin rënë përsipër. Ai do të martohej së shpejti.

Menaxheri i kompanisë “001 Taxis”, Aaron Singh, tha se Çupi ishte një djalosh i qeshur, të cilin e donin të gjithë. “Ne do e kujtojmë gjithmonë,” tha ai.

Në tërmetin e frikshëm të 26 nëntorit humbën jetën 51 persona, ndërsa rreth 1000 mbetën të plagosur.