Ergys Brahimaj është 31-vjeçari që humbi jetën pas shembjes së skelës në pallatin ku ai po punonte në Tiranë.

Familja e tij ndjen një dhimbje të papërshkrueshme, gjë që shfaqet edhe në një postim të dy motrave të Ergysit, Gysi, siç ato i thërrisnin.

Ergys Brahimaj, kishte marrë letrat amerikane dhe shumë shpejt, së bashku me motrën e cila punonte doktoreshë, do t’iu bashkoheshin prindërve që jetonin në “tokën e premtuar”.

Sot, motrat e tij kanë bërë një postim në rrjetet sociale, ku teksa falenderojnë këdo që iu është gjendur pranë në këto momente tepër të vështira për familjen e tyre, kanë kërkuar nga gjithë ata që e njihnin Ergysin të ndajnë me to foto, video ose kujtime të cilat familjarët nuk i dinë.

“Të dashur miq, kushërinj, shokë. Ne motrat e Gysit duam t’ju falenderojmë për të gjitha mendimet, lutjet dhe ngushëllimet. Vëllai ynë nuk është më mes nesh por ai është me Krishtin dhe ne do ta takojmë një ditë, por deri sa ajo ditë të vijë e vetmja gjë që na kanë ngelur janë kujtimet e tij. Ju lutemi nëqoftëse keni foto, video ose kujtime që ne nuk i dimë ndajini ato me ne. Zoti ju bekoftë të gjithëve! Ela & Lona”, shkruajnë motrat.