TIRANE, 18 maj 2013– Policia ka zbardhur ngjarjen e djeshme në Valias të Tiranës, ku mbeti i vdekur një 56-vjeçar.

Në fillim u dyshua për vetëvrasje, por sot policia ka arritur në përfundimin se 56-vjeçari ka vdekur nga dora e djalit të tij.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30 në Valias, ku 56-vjecari Rasim Leka ka gjetur vdekjen me armë zjarri.

Dyshohet se ngjarja e rëndë është regjistruar në prani të motrës së viktimës, ndërsa ky i fundit ka qenë në gjendje të dehur.

Policia bëri të ditur sot se gjithçka ka ndodhur pas një sherri që ka pasur babai, viktima me djalin tij, E.Leka.

Rasim Leka ka mbërritur i dehur në banesë dhe është konfliktuar me të birin duke i kërkuar llogari se përse nuk punonte dhe priste të mbante frymën gjallë ende nga babai i tij.

Duket se sherri me fjalë ka degjeneruar në konfrontim fizik dhe më pas në përdorimin e armës.

Fillimisht ka qenë Rasimi që ka drejtuar armën nga i biri dhe ky i fundit i armatosur me një kallashnikov ka qëlluar në drejtim të babait, duke e lënë të pajetë.