Gjykata e Apelit në Hagë ka refuzuar ekstradimin e Arben Frrokut në Shqipëri me argumentin se i rrezikohet jeta pasi dënimi është për arsye politike.

Vendimi është dhënë në favor të Arben Frrokut, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda për vrasjen e ish-kryekomisarit të Kombinatit Dritan Lamaj.

Sipas Gjykatës së Hagës, dënimi që i është dhënë në Shqipëri, është dhënë bazuar mbi motive politike duke shtuar se Frrokut i rrezikohet jeta në Shqipëri, e për këtë arsye ai nuk do të ekstradohet, edhe pse gjykatat shtetërore të Holandës kishin vendosur për ekstradimin e tij.

Frroku është dënuar nga Gjykata e Apelit me burg përjetë për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj në shkurt të 2013-s.

Pas një kalvari gjyqësor, në Prill të 2015-s Arben Frroku u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Pasi doli nga qelia, Frroku u largua nga Shqipëria ditën që Apeli i Krimeve të Rënda rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë dhe vendosi dënim me burgim të përjetshëm për Arben Frroku. Ky i fundit u kap në Holandë me pasaportë false disa muaj më vonë.