Në një banesë të varfër fshati, jeton Arjana Stafa, vjehrra e 19- vjeçares Elda Tanushi, e cila i mbijetoi helmimit nga nusja e saj.

42-vjeçarja tregon se nuk do t’ia falë nuses atë që i bëri, dhe për këtë duhet të vuajë dënimin.   

“T'u  bëftë mami më jep një gotë kos se më është tharë goja. Ma solli, por sa e vura në gojë vura re që kosi vinte erë të keqe si erë benzinë. Piva pak se isha e etur, e djegur dhe nuk po e shtyja dot më. Sa e piva gllënjkën e parë më mbeti në grykë nuk e kaptoja dot. Vinte erë të tmerrshme”,- tregon zonja e cila pasi ka marrë mjekimin në spital ka shkuar në banesë.   

“I thashtë të keqen mami, po çfarë ere ka ky kos, çfarë i ke hedhur që vjen erë si benzinë”? Më tha nuk ka gjë është si të gjithë koset. I thashë epo merre e pije vetë këtë gotë ta shikosh se si është. Më tha nuk e pij, nuk më pihet” .

Zonja tregon se përfundoi në spital vetëm pasi piu një gllënjkë kos.

“U këputa fare. Nuk kisha asnjë pikë fuqie. Nuk ngrihesha dot më në këmbë e zura dyshekun. Po, më tha që të hodha ilaç, helm në kos. Më tha që e kam bërë për arsye personale. E kam bërë për trupin tim jo për ty. Nuk e kuptoj dot këtë që tha. I thashë po pse ma hodhe mua, mamit tënd?  Ç’të kam bërë unë, që më helmon i thashë?”

Vjehrra tregon se nuk do ta falë për asgjë nusen e re “Jo absolutisht jo. Ajo desh më vrau mua. Më helmoi. Edhe vajza ime fëmija im të ishte, për atë që ka bërë nuk mund të falet. Të qëndrojë në burg e të vuajë dënimin mbase i vijnë edhe mendtë e kokës. Se ne nuk na e diti të mirën”,- përfundon ajo.  

K.H.