Tiranë, 9 mars 2014 – Të afërm, miq, kolegë e qytetarë të Tiranës i dhanë lamtumirën e fundit zv/ministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni. Për rreth 2 orë në hollin e Teatrit Kombëtar në kryeqytet, u zhvilluan homazhe në nder të ish-zv/ministrit të Brendshëm, cili u nda nga jeta një ditë më parë si pasojë e një infarkti në zemër. 

Zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, të kryesuar nga ish-kryeministri Sali Berisha vendosën kurora me lule dhe u përkulën përpara arkivolit me trupin e pajetë të Ferdinand Ponit. Ish-kryeministri Berisha, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, pasi ngushëlloi familjen Poni për humbjen e parakohshme të njeriut të tyre të dashur, la edhe një shënim në librin e kujtimeve. 
Homazhe zhvilloi edhe kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, i cili pasi u përkul me nderim përpara arkivolit me trupin e pajetë dhe ngushëlloi familjarët e të ndjerit. 

Ndërkohë rreth orës 14:10, në Teatrin Kombëtar mbërriti kryetari i PD-së Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Zoti Basha u shprehu ngushëllime familjarëve të Ponit dhe më pas i pikëlluar shkroi një mesazh të gjatë lamtumire në librin e kujtimeve, të vendosur në hollin e Teatrit Kombëtar. 

Në fjalimin e lamtumirës, lideri i opozitës Basha tha se demokratët kanë humbur avokatin dhe mbrojtësin më të flaktë të pushtetit lokal. 
“Poni argumentuesi me tone të larta, i qeshuri me humor pikant, bashkëpunëtori serioz nuk jeton më. Na ka ikur kapiteni i pushtetit lokal. Jemi mbledhur këtu për të ndarë me familjen e Ferdit dhe me njëri-tjetrin dhimbjen e madhe për humbjen e Ferdit dhe për të nderuar veprat që ka lënë pas. Lamtumirë mik i dashur, prehu në paqe”- deklaroi Basha.  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/