Më të trishtat ditë të jetës së tyre, i kalojnë duke ju “falur” të bukurit Durrës. Me shpresën në zemër, lotët në sy dhe brengën e mbledhur në shpirt, bilbili i këngës durrsake Qemal Kërtusha, së bashku me bashkëshorten Merjemen janë dy prej katër mijë familjarëve që u evakuuan nga shtëpitë e tyre pas 26 nëntorit.

Qemal dhe Merjeme Kërtusha janë çifti i të moshuarve që ende nuk e kanë lënë hotelin ku janë strehuar pas tërmetit. Banesa e tyre është një apartament në katin e pestë të një pallati përballë godinës së gjykatës dhe prokurorisë. Pallati ka dalë i pabanueshëm, ndërsa ata ishin të fundit që u larguan nga apartamenti.

Këngëtari dhe e shoqja, të cilët e kanë parë Durrësin në ditët më të shkëlqyeshme të tij, në mbi 80 vjet jetë, brengosen sesi 2 muaj pas tërmetit, askush nuk ka ndërhyrë për të rregulluar qytetin e shkatërruar.

Për Kërtushën, atmosfera në qytetin e Durrësit është e zymtë pas tërmetit dhe për shpirtin e ndjeshëm të artistit kjo gjendje të pikon në zemër.

Çifti Kërtusha ndihen shumë mirë me mikpritjen që u kanë bërë në hotel, por sytë i kanë nga shtëpia dhe qyteti bregdetar.

Me pikëllim në shpirt, ata, si mijëra qytetarë të tjerë të Durrësit, presin nisjen e procesit të rindërtimit.

K.H.