Një 41-vjeçare nga Burreli është transportuar me urgjencë në Tiranë me një helikopter të Ministrisë së Shëndetësisë për të sjellë në jetë fëmijën e saj të tetë.

Ajo ishte paraqitur mëngjesin e sotëm në maternitetin e Burrelit, por mjekët vendosën dërgimin e saj drejt Tiranës për ndërhyrje më të specializuar dhe për shkak të reshjeve të dendura të dëborës që kanë prekur edhe Matit, ministria e Shëndetësisë ka dërguar me urgjencë një helikopter për të transportuar gruan shtatzënë.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja Ogerta Manstirliu shkruan se gruaja ka lindur në maternitetin "Koço Gliozheni" në kryeqytet fëmijën e saj të tetë. Sipas ministres, gruaja dhe foshnja e porsalindur janë në gjendje të mirë shëndetësore. 

"Kjo është historia e Rozinës, nënës 41-vjeçare që pak minuta më parë ka sjellë në jetë fëmijën e saj të tetë falë ndërhyrjes në kohë të ekipeve mjekësore dhe urgjencës kombëtare. E paraqitur me komplikacione në maternitetin e Burrelit mjekët e spitalit “Koço Gliozheni” që aktualisht po japin shërbim në Burrel, kanë vlerësuar si emergjente ndërhyrjen për nënën 41-vjeçare që rrezikonte jetën e saj dhe të bebit. Menjëherë është transportuar me helikopter në maternitetin “Koço Gliozheni” ku ka lindur fëmijën e saj të tetë. Nëna dhe i porsalindur gëzojnë shëndet të plotë", shkruan Manastirliu.