Pas e-mail-it të biznesmenit italian drejtuar kryetarit të bashkisë Vangjush Dako, lidhur me shqetësimin që ai kishte për shkallën e ndotjes në bregdetin e Durrësit, ka reaguar edhe Ndërmarrja e Komunales së Plazhit Durrës.

Siç e shihni edhe në këto dy foto që “DurrësLajm” ka shkrepur paraditen e sotme (14.1.2018) në plazh, vija bregdetare është e pastruar: nuk ka as mbetje urbane dhe as depozitime leshteriku.

“DurrësLajm” u interesua pranë kësaj ndërmarrjeje nëse reagimi i tyre kishte ardhur në një kohë kur u bë publik në media shqetësimi që ngrinte biznesmeni i huaj në vendin tonë. Burimet thanë që vija bregdetare e plazhit të Durrësit pastrohet rregullisht, çdo ditë. “Jo vetëm që mbetje urbane nuk diskutohet të ketë, por edhe leshterikët që dalin në breg, pastrohen rregullisht çdo ditë. Pas orës 08:00 të mëngjesit, i gjithë bregdeti është i pastruar”, thanë burimet nga kjo ndërmarrje.

Ditën e sotme, “DurrësLajm” publikoi e-mail-in që biznesmeni italian Marco Ghirardi, i kishte dërguar kryebashkiakut Dako, të shoqëruar me disa foto nga bregdeti, ku grumbujt me leshterikë dhe mbetjet urbane dominonin të gjithë panoramën e gjirit të Durrësit. Biznesmeni Ghirardi shpresonte se pas publikimit të lajmit, autoritetet do të ndërgjegjësoheshin dhe do të viheshin në lëvizje për ta pastruar dhe mbajtur pastër në vazhdimësi bregdetin tonë të bukur.

Por sipas Ndërmarrjes së Komunales, fotot e bëra nga italiani mund të jenë shkrepur në një kohë që procesi i pastrimit nuk kishte filluar ende, dhe kamioni nuk kishte shkuar për të ngarkuar depozitimet me leshterikë apo mbeturina që mund të hedhin qytetarët.