Në Gjykatën Penale të Tiranës është zhvilluar seanca për ngjarjen e 13 shkurtit të 2019-ës, ku Lirie Xhepa u gjet e pajetë në liqenin e Sharrës në Tiranë.

Në sallë u thirr si dëshmitar djali i saj, Marjus Xhepa, i cili nga banka e dëshmitarit ka kërcënuar të pandehurin, Dashamir Xhepa, (xhaxhai) në lidhje me vrasjen e së ëmës.

25-vjeçari ka thënë se kishte 7 vjet që nuk fliste me xhaxhain, pasi ai e kërcënonte Lirien se do ta vriste dhe se kjo e fundit kishte edhe urdhër mbrojtje.

Në rrëfimin si dëshmitar ai ka theksuar se Dashamiri po të dënohej do të shpëtonte pasi ai e do jashtë, duke nënkuptuar që do të hakmerret për të ëmën.

“Marrëdhëniet me xhaxhain kanë qenë shumë të këqija, ai është zënë me të gjithë njerëzit e shtëpisë. Unë personalisht kisha shtatë vite që nuk flisja me të, edhe me nënën time nuk ka folur fare. Në fillim Dashamir Xhepa zihej me të gjithë. Që nga vdekja e babait tim në vitin 2006 marrëdhënia ka qenë shumë e tensionuar me të. Ai e shqetësonte nënën time, ndërsa ka marrë edhe një urdhër mbrojtje pasi vinte në shtëpi dhe zihej me të gjithë, kërkonte para. Nëna ime ka kërkuar urdhër mbrojte pasi shkonte e shqetësonte edhe kur unë nuk isha në shtëpi, i shkonte prapa e ruante dhe i kërkonte para. Jam zënë me atë dhe prap pasi kalonte një javë ishte i njëjti muhabet. Nënën time e çoja vetë në punë pasi ai e shqetësonte gjithë kohës. Donte lekë, nuk e di sa i kërkonte por ai ishte pa punë. Kur e ka vrarë në ditën e ngjarjes i ka marrë 500 euro në çantë, e cila sot e kësaj dite nuk është gjetur. Atë ditë e kam dërguar në punë në mëngjes nënën time, ndërsa pashë xhaxhain tim që u fsheh pas një makine. Kam lënë nënën tek fabrika e këpucëve ku punonte dhe jam larguar për në Fier pasi kisha vëllain në burg atje. Jam kthyer nga Fieri në orën 21:00, nuk e gjeta nënën time aty, gjeta vetëm vëllain tim të vogël, Romeon. E pyeta dhe më tha që nëna ishte kthyer nga puna por kishte dalë dhe kishte ikur poshtë (në Kombinat). Kam pritur zgjuar deri në orën 23:00, isha shumë i lodhur, dhe më ka zënën gjumi. Në mëngjes erdhi policia te shtëpia, e cila më ka zgjuar. Ata kishin gjetur nënën time të vdekur. Trupin e pajetë e kishin parë fillimisht njerëzit e zonës në një distancë 300-400 metër nga banesa, të cilët kanë thirrur policinë. Isha te vendi i ngjarjes, ndërsa policia më ka thirrur për të identifikuar trupin. Dashamir Xhepa më ka thënë para shtatë viteve që do më vriste nënën, por unë i thoja që të merrej me mua. Pas ngjarjes Dashamirin nuk e kam parë fare, ishte zhdukur, nuk ishte në ceremoninë e varrimit. Jam parë për herë të fundit me të në gjykatë. Ai po u dënua me burg shpëton, unë e dua jashtë atë. Dashamir Xhepa më ka vrarë nënën. Unë nuk e di a ka patur njeri tjetër kur ka ndodhur vrasja dhe nëse e ka parë dikush atë. Ju më kuptoni, unë po dridhem i tëri (i tensionuar). Atë që ka bërë ai (xhaxhai) e bënë një legen. Legen pasi nuk u mor me mua, por u mor me një femër. Përveç konfliktit të lekëve nuk ka patur shkaqe të tjera për ta vrarë nënën time, nuk është e vërtet që ka patur çështje simpatie apo lidhje sentimentale.”, ka thënë i riu.