Imzot George Frendo ka fituar betejën me Covid-19 dhe ka dalë nga spitali në Bari të Italisë ku po kurohej prej ditësh.

Imzot Frendo ndodhet në Kuvendin Françeskan Kapuçin në Bari, duke zbatuar karantinën e nevojshme deri në përgjigje të një tamponi të dytë që të rezultojë negativ nga Covid-19.

“Përmes këtij komunikimi, ju informojmë se gjendja shëndetësore e Sh. T. Imzot George Frendo, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës, dhe President i Konferencës Ipeshkvore Shqiptare, (KISH), paraqitet shumë e mirë.

Ka dy ditë që ka lënë spitalin “Acquaviva delle Fonti”, në Miulli (Bari). Aktualisht ndodhet në Kuvendin Françeskan Kapuçin në Bari, duke zbatuar karantinën e nevojshme deri në përgjigje të një tamponi të dytë që të rezultojë negativ nga Covid-19.

Nga kontakti i sotëm, që kemi pasur, ai i përcjell falënderimet dhe mirënjohjet e sinqerta për stafin mjekësor të Spitalit, për etërit Françeskan Kapuçin, ku aktualisht po qëndron, si dhe për të gjithë njerëzit dhe besimtarët të cilët e kanë kujtuar dhe vazhdojnë ta kujtojnë në lutje.

Ne vazhdojmë të lutemi, që ngushëllimi dhe prania e Zotit t’i mbështesë të gjithë ata që sot janë të sprovuar nga sëmundja si dhe çdo person i angazhuar në vijën e parë të kujdesit dhe shërbimit për ta.”, thuhet në njoftim.