Një shtetas turk dyshohet se ishte pritësi i kontenierëve me 3 milionë e 50 mijë cigare kontrabandë në Portin e Durrësit, të cilat kishin mbërritur nga porti Mersin i Turqisë drejt Shqipërisë.

Hetimet e prokurorisë së Durrësit kanë zbuluar se kjo dërgesë e madhe cigaresh kontrabandë ka qënë në survejim dhe nga një agjenci inteligjence angleze, e cila monitoron rastet e kontrabandimit të duhanit në porte. Ka qenë pikërisht kjo agjenci angleze që ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, e cila më pas ka vendosur të hapë kontenierin e mbushur me koli cigaresh, të cilat në Durrës qëndronin për gati 5 muaj.

Semsettin Baysal ka qenë porositësi i sasisë tepër të madhe të cigareve nga Turqia në Shqipëria. 

Ky i fundit nuk është arritur të pyetet nga prokuroria, pasi ka rezultuar se është larguar nga territori shqiptar që prej 24 tetorit 2017. Largimi nga Shqipëria e shtetasit turk, ka ndodhur nëpërmjet pikës kufitare të Rinasit. Burimet nga prokuroria thanë se gjatë kohës që kolitë me cigare kanë qëndruar në portin e Durrësit, kjo ngarkesë është kërkuar të tërhiqet mbrapsht nga kompania dërguese, me argumentin se ishte bërë një ngatërrese me vendndodhjen e shkarkimit të mallit.

Por në pamundësi për të sjellë anijen që do transportonte cigaret, paketat kanë mbetur në port për gati 5 muaj. Gjatë kësaj jave prokuroria e Durrësit në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave kanë mësuar se dërgesa ka qenë për shoqërinë turke "ROYALL GENERAL TRADING" pronar i të cilës është shtetasi Semsettin Baysal, lindur në qytetin Çit të Turqisë. Ky i fundit ka hapur këtë kompani në 10 maj 2017 në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërkohë që në muajin korrik mësohet se ka mbërritur nga Turqia superngarkesa me mbi 3 milion cigare. 
Kapitali themeltar i shoqërisë është 10 000 dollarë amerikanë, ndërkohë një ndër objektet e veprimtarisë së kësaj kompanie është: "Prodhojë, importojë, eksportojë dhe përpunojë duhanin dhe nënproduktet e tij, në formën e tij të grirë ose në formën e cigareve, të çdo lloji, duke përfshirë por pa u kufizuar në cigare me filtër dhe ato pa filtër, lëndën e parë, paketime dhe në përgjithësi çdo produkt tjetër të përpunueshëm".

Sipas të dhënave bëhet fjalë për paketa "Filip Morris" të cilat përbëjnë dhe numrin më të madh të ngarkesës ndërsa pjesa tjetër është e përbërë nga paketa të llojit "Slims" e markave të ndryshme. Për momentin prokuroria e Durrës është duke verifikuar veprimet që ka kryer kapiteneria e Durresit dhe punonjësit e doganës së Durrësit.

Sipas akuzës sasia e madhe e cigareve është shkarkuar në portin e Durrësit që prej muajit Korrik 2017 dhe se gjatë kësaj kohe askush, qoftë person i huaj apo person shqiptar nuk është interesuar për fatin e cigareve. Por ekzistojnë dyshime se kërkesa e kompanisë turke për të tërhequr mallin mbrapsht, mund të jetë një reng për të përpiluar dokumente shtesë dhe nxjerrjen e mallit sërish në lundrim drejt porteve të ndryshme të Evropës. /Shqiptarja.com