INVESTIGIMI/ Kompanitë e parajsave fiskale me pronarë të panjohur, fituese të koncensioneve të inceneratorëve

Postuar: 23/05/2018 - 19:41

   Në Shqipëri, një seri kompanish të vogla në ortakëri me njëra-tjetrën dhe kompani me pronarë të panjohur të rregjistruara në parajsa fiskale janë fituese të tre koncesioneve të inceneratorëve. Kjo dëshmohet nga dokumentat e siguruara nga Zëri i Amerikës lidhur me këto projekte të cilat sipas specialistëve pritet të shumëfishojnë kostot e trajtimit të mbetjeve në kurriz të taksapaguesve.

I kthyer nga emigracioni disa vite më parë, Leonard Janji nga fshati Verri i Fierit ka zgjeruar fermën e tij dhe prodhon sot mbi 100 ton domate dhe pjepër për tregun e brendshëm. Por 38 vjeçari thotë se investimi i tij në bujqësi po vihet në rrezik nga projekti i inceneratorit të Fierit, i cili po ndërtohet thuajse një kilometër larg tokës së sapombjellë.

Prej një viti e gjysmë, Janji dhe bashkëfshatarët e tij kanë organizuar disa protesta kundër ndërtimit të inceneratorit në fshatin e tyre, por shqetësimet kanë rënë në vesh të shurdhër. Fermeri ka frikë se ky projekt do ta nxjerrë prodhimin e tij jashtë tregut dhe do ta detyrojë atë të ikë sërish në emigracion.

“Unë nuk dua të iki, por jam i detyruar nga këto rrethana, nga mosinformimi im dhe mbajtja në terr për çfarë po ndodh këtu. Nga dhuna e përdorur dhe mosgjetja e drejtësisë në këtë vend,” u ankua Janji.

Koncesioni i Fierit me vlerë investimi 28 milionë euro dhe me kapacitet përpunimi rreth 200 ton mbetje në ditë u shpall në shtator 2016 nga Ministria e Mjedisit. Por banorët e fshatit Verri u informuan disa muaj më pas, vetëm pasi kamionët e tonazhit të rëndë u shfaqën pranë shtëpive të tyre. Pas dhjetra peticionesh dhe protestash pa përgjigje, ata kërkojnë ende që qeveria t’i sqarojë për ndikimin që ky projekt do të ketë në jetën e tyre.

Kleanthi Ngolemi, banor i fshatit Verri e quajti procesin e konsultimit publik një farsë dhe kërkoi sqarim nga autoritetet mbi ndotjen që i rrezikohet banorëve.

“Ne protestojmë që të vijë dikush këtu dhe të na thotë se në këtë tokë ngjitur, ku ne prodhojmë për tërë Shqipërinë nuk ka ndikim. S’vjen dikush të na thotë, të na e shpjegojë,” tha ai.

Historia e djegies së mbetjeve me qëllim prodhimin e energjisë nisi në dhjetor të vitit 2014, kur qeveria shqiptare shënoi një kthesë 180 gradëshe nga strategjia kombëtare e miratuar në përputhje me direktivën e Komisionit Europian. Kjo strategji i jep prioritet parandalimit dhe riciklimit të mbetjeve, ndërkohë që e konsideron asgjësimin si opsion të fundit.

Prej asaj kohe, qeveria ka firmosur tre kontrata koncesionare për ndërtim inceneratorësh në Elbasan, Fier dhe në Tiranë me një vlerë investimi prej 178 milionë eurosh në total.

Por politika e re e menaxhimit të mbetjeve është kritikuar në progres-raportin e fundit të Bashkimit Europian.

“Ndërtimi i një incerneratori në Elbasan, i cili filloi të operojë vitin e kaluar dhe planet për investime të mëtejshme në incerneratorë përbëjnë një shqetësim në termat e respektimit të parimeve të BE-së. Groposja dhe incernerimi janë opsionet më pak të pëlqyera të menaxhimit të mbetjeve,” shkruhet në progres-raport.

Fituesit e koncesioneve
Dokumentet e siguruara nga Zëri i Amerikës tregojnë se fituesit pa garë të këtyre koncesioneve janë një rrjet kompanish të vogla në ortakëri me njëra-tjetrën si dhe kompani të regjistruara në parajsa fiskale me pronarë të panjohur.

Inceneratori i Elbasanit dhe ai i Fierit zotërohen respektivisht nga kompanitë Albtek Energy me pronare Stela Gugallja dhe Integrated Technology Waste Treatment Fier, ku 70 % e aksioneve zotërohen nga Klodian Zoto. Ndërkohë, 30 për qind e aksioneve të koncesionit me vlerë rreth 28 milionë euro iu shitën një kompanie lokale për 30 mijë lekë, vetëm një muaj pas themelimit të kompanisë koncesionare.

Inceneratori i Tiranës, më i madhi dhe i kushtueshmi ndër të tre u fitua nga kompania Integrated Energy B.V me seli në Amsterdam të Holandës. Ndonëse në Tiranë u ekspozuan si përfaqësues sërish Klodian Zoto, biznesmeni italian Ernesto Granelli si dhe kompania e njohur në prodhimin e impianteve, Paul Wurth, është e paqartë se kush e zotëron aktualisht kompaninë koncesionare.

Të dhënat e siguruara nga databaza e kompanive në Holandë tregojnë se Klodian Zoto ka dhënë dorëheqjen nga Integrated Energy në mars 2018. Më parë, ai është zëvendësuar nga një kompani guackë e quajtur Almares Management B.V me seli në Amsterdam, me drejtorë të emëruar dhe pronësi të panjohur.

Zëri i Amerikës nuk mundi të kontaktonte me Klodian Zoton. Ndërsa Kompania koncesionare “Integrated Energy”, e cila pranoi të përgjigjej vetëm përmes postës elektronike tha se Zoto nuk ishte i përfshirë në projektin e Zonës së Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë. Kompania i devijoi pyetjes së kush ishin aksionerët e saj apo të kompanisë “Almares Management B.V”, duke sugjeruar që t’u drejtoheshim autoriteteve në Shqipëri dhe në Holandë.

Opozita e akuzon qeverinë se ia ka dhënë klientëve të saj kontratat koncesionare. Një interpelancë e zhvilluar në shkurt mes deputetes demokrate Jorida Tabaku dhe ministrave Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj ofroi megjithatë pak përgjigje për akuzat.

Pyetjes së pse qeveria kishte dhënë një kontratë me negocim të drejtpërdrejtë në Elbasan, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri u përgjigj se “bashkia e Elbasanit kishte shpallur gjendjen e emergjencës për situatën e mbetjeve”.
Ndërkohë, ministri Ahmetaj-i akuzuar edhe më parë për lidhje me Klodian Zoton mohoi të kishte shoqëri me të.

Kostot mjedisore dhe ekonomike
Përveç pikëpyetjeve mbi pronësinë, projektet e inceneratorëve kanë ngritur shqetësime për shumëfishim të kostove për trajtimin e mbetjeve në Shqipëri si dhe impaktin e tyre mbi mjedisin. Të dhënat e siguruara nga Thesari i Shtetit tregojnë se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe ajo e Mjedisit kanë paguar së bashku deri më tani 13.4 milionë euro në llogaritë e koncesionarit të Elbasanit dhe rreth 8.4 milionë euro për inceneratorin e saponisur të Fierit.

Ndërkohë, kostot për inceneratorin e Tiranës pritet të jetë shumëfish më të larta. I projektuar për të pasur një kapacitet përpunues rreth 900 ton mbetje në ditë, kompania Integrated Energy ka marrë përsipër të investojë më shumë se 128 milionë euro për ndërtimin dhe operimin e tij.

Fatura do të shlyhet për 30 vitet e ardhshme nga Bashkia e Tiranës, e cila detyrohet në kontratë që ta paguajë koncesionarin për një sasi mbetjesh të garantuara prej 550 tonësh në ditë, pavarësisht sasisë së mbetjeve që ajo do të mbledhë në kryeqytet.
Garancia në kontratë i çon kostot minimale vjetore për taksapaguesit e kryeqytetit në 5.8 milionë euro dhe vlerën totale për 30 vitet e koncesionit në 174 milionë euro.
Zëri i Amerikës iu drejtua Ministrisë së Infrastrukturës së Energjisë për të mësuar barrën e tre projekteve mbi buxhetin e shtetit, por ajo ia kaloi përgjegjësinë Ministrisë së Mjedisit si institucioni kontraktor. Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi refuzoi gjithashtu të komentonte. Edhe Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj një kërkese për koment se sa do t’i kushtonte trajtimi i mbetjeve në inceneratorin e Sharrës.

Drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi kritikoi vendimin e qeverisë për të ndryshuar strategjinë e trajtimit të mbetjeve dhe shtoi se kjo do t’i kushtonte shumëfish taksapaguesve shqiptarë.

“Vihet re që ka një largim nga metoda e ladfilleve dhe rritje të kostos 4 deri në 5 herë më të shtrenjtë të procesohen, të digjen. Ka një përzgjedhje të çuditshme përmes metodës së ofertës së pakërkuar, e cila në të vërtetë siguron fitime më të mëdha për kompanitë,” tha Preçi për Zërin e Amerikës.

Teknologjia e përdorur dhe monitorimi i nivelit të ndotjes kanë shkaktuar gjithashtu debat mes ekspertëve të mjedisit në Shqipëri. Kompania që do të operojë inceneratorin e Tiranës, Integrated Energy tha në përgjigjen me shkrim se “teknologjia do të jetë e avancuar, e praktikave më të mira europiane që e aplikojnë këtë industri”.
Por aktivisti mjedisor, Lavdosh Feruni thotë se incenerimi i mbetjeve shkakton ndotje të ajrit nga metalet e rënda dhe mbetjet e rrezikshme.

“Që të djegë inceneratori 30 vjet, 1 milion ton plehra në Shqipëri kjo do të ishte një ndotje shumë e madhe për këtë vend të vogël,” tha Feruni.

“Kemi të bëjmë me një përmbysje, që në rastin më të mirë është një naivitet vendimarrës dhe në rastin më të keq, korrupsion masiv,” shtoi ai.

Ekspertët Preçi dhe Feruni kërkuan hetimin e këtyre kontratave koncesionare, pasi sipas tyre dyshohen për favorizime klienteliste në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. Ata kërkuan gjithashtu që qeveria ta rikthejë vendin në shinat e strategjisë në fuqi për trajtimin e mbetjeve urbane. /VOA

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

   Një grup i FNSH-së, të maskuar me një makinë civile kanë ndaluar në mënyrë të befasishme në disa rrugë kryesore në Durrës duke ushtrua

   Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të mërkurën raportin vjetor për terrorizmin në botë për vitin 2017.

Qeveria ka vendosur sot miratimin e vendimit për krijimin e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar”, institu

Sot është organizuar hedhja e një shorti për të zgjedhur prokurorin që do të paraqesë pretencën për Emiljano Shullazin.

   Moti do të vazhdojë të jetë me diell dhe temperatura të larta.

Lëkundje të forta tërmeti janë ndjerë pak momente më parë në Tiranë e qytete të tjera të Shqipërisë së mesme.

Qeveria është duke organizuar ankandin për blerjen e 800 mega herz kapacitet të rrjeteve që i shërbejnë infrastrukturës së internetit në

Arratiset i dënuari për tentativë vrasjeje në Vlorë, Taulant Manaj i njohur si Taulant Beqiraj, i cili u la i lirë në muajin gusht nga Gj

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas referimit te Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ka vendosur sekuestro mbi s

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda shpalli të pafajshëm ish-drejtorin e Burgjeve, Artur Zoto, i akuzuar për abuzime me tenderët e ushqi