Beton, mungesë gjelbërimi, derdhje e ujërave të zeza në det dhe papastërti përgjatë bregut të detit.
Investimi që qeveria Rama po realizon në shëtitoren bregdetare po merr formën përfundimtare, por qytetarët e Durrësit nuk tregohen shumë entuziastë.
Megjithëse vlerësojnë se punimet që po kryhen në shëtitoren “Taulantia” i kanë dhënë një tjetër pamje zonës më të frekuentuar në Durrës, investimi që pritet të përfundojë në nëntor nuk ka shërbyer për t’i rikthyer qytetit një sipërfaqe të gjelbëruar.
Në ndryshim nga projekti i mëparshëm, sipërfaqet e betonuara janë shtuar ndjeshëm. Ndërsa pemët e mbjella përgjatë saj (nuk dihet se çfarë lloji janë) duken si mjerane, teksa rrethohen nga qindra metra katrorë pllaka. Disa nga palmat janë kalbur, por ajo që të shqetëson është fakti se dhe disa nga drurët dekorativë të sapo mbjellë kanë nisur të zverdhen.
“Nuk ka gjelbërim. Këto pemë që kanë mbjellë nuk kanë kurorë, nuk bëjnë aspak hije. Nuk di pse i kanë zgjedhur, ndoshta janë rezistente për klimën këtu”,- thotë një qytetar.
“Ka shumë pisllëk. Këtu mblidhet shumë leshterik. Po na mbyt pisllëku”,– thotë një qytetare.
Ndërkohë, një qytetar italian, që prej vitesh jeton në lagjen nr.1 të Durrësit vë theksin në një ndërlidhje më të lirë mes sipërfaqeve të betonuara dhe detit.
“Ka shumë beton. Duhet të shihet mundësia që deti të shfrytëzohet më shumë. Duhet të shihet mundësia të krijohen parkingje dhe jo të ndërtohen pallate që qëndrojnë bosh. Nëse qytetarët do të vijnë me makina në këtë zonë, kanë nevojë të kenë hapësira ku të parkojnë mjetin. Kjo është këshilla ime për institucionet”,– thotë shtetasi italian.
Deri në nëntor të këtij viti pritet të përfundojë investimi i qeverisë shqiptare, që po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me një vlerë prej 2,8 milionë euro.
Kjo është hera e tretë që investohet në shëtitoren “Taulantia”, por në ndryshim nga ish-Vollga e dikurshme, lungomare bregdetare ka kontribuuar për të shtuar edhe më shumë sipërfaqet e betonuara. Grija e betonit dhe pllakave duket sikur ka zënë për fyti blunë e detit dhe gjelbërimin e pemëve dekorative që i kanë mbijetuar manisë për të shtrirë çimenton ngado.
M.B.