Ditën e sotme është ndarë nga jeta ish-elektriçisti i spitalit të Durrësit Bilal Luku. 71-vjeçari ishte prekur nga Covid-19, por pjesën më të madhe të kohës që ishte i sëmurë e ka kaluar në shtëpi.

Së bashku me të e prekur është edhe bashkëshortja, ndërkohë që nga familjarë të të ndjerit DurrësLajm mëson se dy vajzat e çiftit janë kthyer nga Italia për t’u qëndruar pranë dy prindërve të moshuar e të sëmurë.

71-vjeçari ka shkuar para dy ditësh me ambulancë në spital, por siç rrëfejnë familjarët nuk ka pranuar barrelën dhe është futur me këmbët e veta në mjediset spitalore. Luku është kthyer vetëm një ditë më parë në shtëpi, por duket se Covid-19 i ka shkaktuar probleme shëndetësore dhe ditën e sotme ai ka pësuar një atak kardiak dhe ka ndërruar jetë.

Ditën e nesërme (e shtunë), në orën 11.00, ai do të shoqërohet për në banesën e fundit vetëm nga dy vajzat e tij, sepse për shkak të protokolleve anti-covid personat e tjerë e kanë të ndaluar të marrin pjesë. Një njeri shumë i nderuar dhe respektuar, me një rreth të gjerë shoqëror, prind i përkushtuar dhe bashkëshort i rregullt, ndarja e Bilal Lukut nga jeta lë pas shumë dhimbje tek familjarët dhe të njohurit, që s’mund t’i jenë pranë për lamtumirën e fundit.

Arkivoli me trupin e të ndjerit pritet të përshkojë rrugën e lagjes ku ai ka jetuar për shumë e shumë vite me radhë para se t’i drejtohet banesës së fundit të të ndjerit.