Ish-gjyqtari Luan Daci ka folur pas vendimit të GJKKO për ta dënuar me 6 muaj burg për deklarim të rremë të konvertuar në 12 muaj pezullim nga detyra si anëtar i KPA-së dhe kontakt me shërbimin e provës.

Daci ka theksuar se s’ka falsifikuar asnjë dokument gjithë jetën e tij, ndërkohë që GJKKO e dënoi për shkak se nuk ka deklaruar se u shkarkua në vitin 1997.

“S’kam falsifikuar asnjë dokument tërë jetën. Atë do e gjykojë Apeli, Apeli e ka gjykuar.”– tha Daci.

Avokati i ish-gjyqtarit, Jordan Daci në një prononcim për mediat tha se vendimi i gjykatës është i gabuar ndërsa theksoi se ky është një precedent i rrëzikshëm që i hap rrugë falsifikimit të dokumenteve.

“Vendimi është i gabuar, ishte kontradiktor, sepse u thanë fakte që ishin përfshirë në protokollin e famshëm të Avokatit të Popullit që është bërë disa janë pas aplikimit për mbrojtje nga ana jonë. Ky është një precedent shumë i rrezikshëm, sepse i hap rrugë një praktike shumë të keqe në raport me falsifikimin e dokumenteve në Shqipëri. E ka deklaruar disa herë në momente të ndryshme proceduriale që është shkarkuar në ’97. Deklarimi i rremë nuk përbën precedent penal në Republikën e Shqipërisë. E ka konfirmuar në Komision por nuk përbën vepër penale. Procesverbalit i mungon regjistrimi audio i cili do të ishte i plotë, që ne e kemi kërkuar dhe nuk ka. Nuk janë falsifikuar domosdoshmërisht, por thjeshtë nuk janë të plota. Nuk është vendim i formës së prerë dhe ne shpresojmë që Gjykata e Apelit në dallim nga vlerësimi që i bëri Gjykata e Shkallës së Parë, vendimi për masën e sigurisë i dha zgjidhje edhe ekzistencës së faktit penal. Ne vazhdojmë t’i qëndrojmë mendimit që këtu nuk ka fakt penal dhe shpresojmë që ta bindim dhe Gjykatën e Apelit”, ka thënë avokati.