Është zhvilluar sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda një tjetër seancë në ngarkim të Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ashtu siç ishte paralajmëruar Gilmando Dani, shok i Emiljano Shullazit ka vendosur të flasë.

Ai ka rrëfyer në seancë si është njohur me biznesmenin Ylvi Beqja dhe pse ka tërhequr para në emër të tij në bankë, bashkë me shokët e tij.

"Ylvi Beqjan ma prezantoi Emiljano Shullazi në shtëpinë e tij. Ylviu kërkonte ndihmë pasi ndihej i kërcënuar nga Zamir Hasa dhe nga burokracitë në regjistrimin e Vollgës në hipotekën e Durrësit. Beqja me kërkoi të tërheq disa çeqe në banke. I tërhoqa paratë dhe ia dhashë në dorë. Me kërkesë të tij tërhoqi çek edhe Endri Qyqja dhe Endri Zela. Qyqja tërhoqi 16 mijë euro, që u përdorën për një faturë në hipotekën e Durrësit", ka deklaruar Gilmando Dani.

Në seancën e sotme mungonte Emiljano Shullazi. Tre të pandehurit e tjerë nuk dhanë pëlqim për t’u marrë në pyetje./BalkanWeb