Ish-drejtori i Kadastrës, Liridon Pula është lënë në burg paraditen e sotme me vendim të Gjykatës pasi akuzohet për shpërdorim detyre. I pranishëm në sallën e gjyqit ishte edhe zëvendës kryeministri Erion Braçe.

Në një prononcim për mediat, Braçe ka akuzuar prokurorin e çështjes, Arjan Ndoja për shantazh ndaj Liridon Pulës.

"Është absurde që një punonjësi shteti t'i bëhet presion nga organi i akuzës në këtë mënyrë. Reforma në drejtësi duhet të veprojë me vendosshmëri, duke hequr nga sistemi i drejtësisë këta prokurorë dhe gjyqtarë.", tha numri dy i qeverisë.

Sipas Braçes masa ndaj ish-kreut të Kadastrës është e pabazuar në ligj duke thënë se po akuzohet për çështje që nuk i përkasin, pasi Pula ka vetëm pak muaj që është emëruar në krye të zyrës së këtij institucioni.

Kujtojmë që një ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha nga foltorja e Kuvendit se një prokuror në Durrës, punon për organizatat kriminal dhe u bën shantazh nëpunësve të shtetit, pa përmendur emrin.