Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi këtë të martë se vendi nuk ndodhet në epidemi, megjithëse janë konfirmuar 329 persona të prekur me virusin A të gripit, por ka aktivitet me intensitet të lartë të gripit.

“Të gjitha mostrat e ardhura janë testuar me metodën molekulare të Real-Time RT PCR. Nga testimi i tyre nga 1 Janari deri në 11 Shkurt janë identifikuar 329 persona të prekur me virusin A të gripit, nga të cilat: 231 (70.2%) viruse janë nëntipi A/H1pdm09 , 20 (6.1%) viruse nëntipi A/H3 dhe 78 (23.7%) viruse tipi A – nëntipizimi është në proces”, tha ISHP në një postim në rrjetet sociale.

Në njoftim sqarohet se në javën e 5-të të vitit 2019 vërehet një trend në rritje i numrit të infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme, por ky numër është 10% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

ISHP thekson se AH1N1 është grip sezonal tek i cili vaksina antigrip vepron dhe ofrohet falas për grupet me më shumë risk, përfshirë punonjësit shëndetësor, gratë shtatzëna, personat me diabet, personat me azëm apo sëmundje pulmonare, personat me sëmundje kardiake, personat me sëmundje të veshkave dhe të mëlçisë.