“Ishte një djalë i qeshur, çun flori!”

Kështu e kujtojnë shokët e gjimnazit, Sokol Keçin, 46-vjeçarin nga Durrësi që humbi jetën paraditen e sotme, në një aksident tragjik në Itali.

Shoqet dhe shokët e klasës së maturës C, të vitit 1992, në shkollën “Naim Frasheri” janë tronditur nga vdekja tragjike e Kolit, siç e thërrisnin të gjithë ata.

“Nuk mund ta besojmë që iku në moshë kaq të re. Për ne ishte shumë e papritur dhe shokuese, kur morëm vesh lajmin e rëndë”.

“Koli nuk e meritonte të ikte në këtë mënyrë. E kishim uruar për ditëlindjen, por më vonë mësuam që ishte ndarë nga jeta. Jemi të mpirë nga kjo që ndodhi.”,- thanë disa prej shokëve dhe shoqeve të maturës të kontaktuar nga DurrësLajm.

46-vjeçari humbi jetën ditën e sotme, ditë e cila duhet të ishte e gëzuar për të, pasi festonte ditëlindjen.

Paraditen e sotme, ai u përplas me furgonin e tij me një tjetër automjet dhe gjeti vdekjen. Sokol Keçi ishte nisur drejt qytetit të Bolonjës, por nuk mundi të arrinte i gjallë në destinacion.

Sokol Keçi, pinjoll i një familje të njohur në Durrës, djali i Nazmi Keçit dhe nipi i Rexhep, Sherif dhe Naim Keçit jetonte prej shumë vitesh në Rosalina, në Itali. Ai kishte marrë nënshtetësinë italiane dhe ishte i martuar me një shtetase nga vendi fqinjë. Drejtonte prej vitesh një sipërmarrje impiantesh elektrike.

Sokol Keçi la pas bashkëshorten dhe dy djem. Dhimbja bëhet më e rëndë për familjarët e tij në Shqipëri, pasi për shkak të masave shtrënguese të marra prej pandemisë Covid-19, e kanë të pamundur të udhëtojnë drejt vendit fqinjë.

M.B.