Italia vazhdon të ndihmojë popullin shqiptar me ndihma të njëpasnjëshme që kur vendi ynë u godit nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019.

Ditën e nesërme, rreth orës 16:00 mbërrin në Portin e Durrësit nga Ankona një sasi mjetesh zjarrfikëse (që konsiston në automjete zjarrfikëse dhe pajisje të tjera) e dhuruar nga Trupa Kombëtare Zjarrfikëse Italiane, destinuar për Prefekturën dhe Bashkinë e Durrësit.

Dhurimi bëhet në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Ofrimin Reciprok të Bashkëpunimit për Aktivitetet Logjistike të Asistencës Publike.

Mediet italiane kanë publikuar edhe pamjet e mjeteve zjarrfikëse që do t’i dhurohen flotës së Durrësit, të cilat nisen sonte në mbrëmje.

“DurrësLajm” mëson se në ceremoninë e pritjes gjatë ditës së nesërme në portin e Durrësit, do të jenë të pranishëm edhe Ambasadori i Italisë Fabrizio Bucci, Kryetarja e Bashkisë Durrës Emiriana Sako si dhe Prefekti i Durrësit Roland Nasto.