Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka paditur Këshillin e Ministrave për shkak të vendimit për të anuluar pasaportat diplomatike të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit.

Sipas kësaj shoqate, vendimi i Këshillit të Ministrave për heqjen e pasaportës së shërbimit cenon statusin e gjyqtarit.

"Sot, me datë 11.07.2019, dorëzuam në Gjykatën Administrative të Apelit padinë kundër Këshillit të Ministrave, me objekt shfuqizimin e Vendimit nr. 389/2019, për pjesën që anulon pasaportat e shërbimit të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit dhe për pjesën që heq të drejtën e tyre të pajisen me pasaporta shërbimi.

Dëshiroj të sjell në vëmendje një pjesë nga Vendimi nr. 40/2014 të Gjykatës Kushtetuese mbi interpretimin e nenit 138 të Kushtetutës:

“Paprekshmëria e pagës dhe e përfitimeve të tjera janë ngritur në nivel kushtetues, me qëllim që të drejtat/përfitimet, të cilat burojnë nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit, të mos ndryshohen me efekt negativ. Formulimi i togfjalëshit “përfitime të tjera është i një natyre të përgjithshme dhe nuk konkretizon në mënyrë shteruese rrethin e përfitimeve të gjyqtarëve. Kushtetutbërësi, jo pa qëllim e ka lënë të hapur kuptimin që i duhet dhënë rrethit të përfitimeve, pasi ka synuar të përfshijë në tërësinë e të drejtave që gjyqtarët i gëzojnë në funksion të ushtrimit të detyrës së tyre”."

Heqja e pasaportave diplomatike për disa kategori ishte një nga vendimet e para të marra nga ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.