Sot, në ditët e 11-të pas tërmetit, një grup ekspertësh izraelitë kanë inspektuar pallatin 12 katësh pranë tregut të vogël industrial, në lagjen nr.12, i cili mbeti i dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ata shoqëroheshin edhe nga ish-kryebashkiaku Vangjush Dako, i cili u takua me një pjesë të banorëve që ishin të pranishëm aty dhe që prej 11 ditësh qëndrojnë me frymën pezull, pasi nuk dinin se çfarë do të bëhej me banesat e tyre.

Dëshmitarë mes banorëve bëjnë të ditur se ish-kryetari i bashkisë është pritur me indinjatë nga të pranishmit, madje disa edhe kanë debatuar me të, pasi ndërtuesi i pallatit është një ish-deputet i PS-së, Hazir Gashi.

Pas largimit të ish-kryebashkiakut Dako, ekspertët izraelitë kanë nisur ekspertizën dhe në fund kanë dhënë lajmin e mirë për banorët.

Fatmirësisht, struktura e pallatit 20-vjeçar nuk është dëmtuar, ndërkohë që duhet të bëhen të gjitha riparimet e nevojshme në muraturë, në të gjitha katet e ndërtesës 12 katëshe.

Lajmi që pallati nuk rrezikon shembjen i ka gëzuar banorët, pasi shumë prej tyre menduan më të keqen.

DurrësLajm e ka trajtuar disa herë gjatë këtyre ditëve problematikën e këtij pallati në qytetin bregdetar. Kjo ishte një ndër ndërtesat shumëkatëshe të rrethuara me shiritin bllokues, që ditën e parë pas tërmetit në Durrës, ndërkohë që gjatë të mërkurës pati edhe disa debate të ashpra mes policisë dhe banorëve. Këta të fundit kërkonin të ngjiteshin në banesë, pavarësisht se pallati nuk ishte inspektuar ende dhe ishte rrethuar nga policia.

Një ditë më parë, ndërtuesi Hazir Gashi, në një komunikim me njërin nga banorët e pallateve shkruante se fatmirësisht godinat shumëkatëshe nuk kishin ceduar dhe “pas kontrollit teknik nga ekspertët çdo gjë do rregullohet dhe do t’i rikthehet kushteve optimale për jetesë”. 

M.B.