Projektligji për Shpifjen që kaloi të mërkurën në Këshillin e Ministrave, nuk mund të ishte veçse një akt hakmarrjeje ndaj mediave online. Jo vetëm për mënyrën se si u miratua, pa asnjë konsultë me grupet e interesit, pa paralajmërim, por edhe me përmbajtjen dhe me mënyrën se si u vendos të propagandohej.

U zgjodh Etilda Gjonaj ta paraqiste këtë projektligj si një arritje që mbron mediat, foli për projektligjin që askush nuk e dinte, askush nuk e gjente në faqen e Kryeministrisë, pavarësisht se kishin dalë të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave. Ministrat kishin votuar një projektligj që ende nuk ishte gati, kishin firmosur mbi letër të bardhë atë që është një akt i turpshëm, që e fut Shqipërinë ndër vendet me liri të kufizuar të shprehjes. 
Nëse ky ligj miratohet, atëherë Shqipëria do të jetë vendi i vetëm në Europë që dënon gazetarët dhe mediat me vendime administrative. Këshilli i ankesave që do të zgjidhet nga bordi i AMA, do të ketë të drejtën të gjobisë portalet nga 100 mijë deri në 1 milionë lekë, aq sa kanë buxhetet mujore ose më shumë se buxhetet mujore.

Këshilli i Ankesave merr kompetencën e Gjykatës, vendos gjobën, detyron median ta paguajë dhe më pas ta ankimojë në Gjykatë. Një media online, që njihet me emrin portal, me buxhete modeste, duhet të paguajë një gjobë që vlen sa buxheti mujor ose më shumë dhe më pas të ndjekë një proces gjyqësor që mund të zgjasë në rastin më të mirë me muaj. Nëse merr më shumë se një gjobë, atëherë duhet të mbyllet se nuk paguan dot as qeranë, as mirëmbajtjen.

Edhe nëse ky vendim do të merrej nga një gjykatë e pavarur, përsëri Shqipëria do të renditej ndër vendet me kufizimin e lirisë së shprehjes, por duke u marrw nga një organ administrativ që emërohet nga AMA, e cila gjithashtu emërohet nga Parlamenti, atëherë kemi të bëjmë me një mbyllje goje me urdhër politik.

Nëse një qytetar ndihet i fyer nga një lajm, mjafton të njoftojë këshillin e Ankesave dhe portal do të gjobitet, do duhet të heqë lajmin, ose do duhet të publikojë përgënjeshtrimin e vetes. Kjo pa një proces verifikimi gazetaresk, por me një proces vendimmarrjeje nga disa të emëruar prej një institucioni që buron nga politika.

Nëse një politikan apo qytetar denoncon në media një rast korrupsioni, i akuzuari shkon tek Këshilli i Ankesave dhe dënohet jo vetëm qytetari apo politikani, por edhe media që e ka publikuar. Pra nëse PD ose LSI del në konferencë shtypi për të denoncuar një aferë korruptive, nëse media e transmeton do të dënohet njësoj si akuzuesi i PD-së.

Këto masa represive ndaj mediave, kryesisht online, janë një goditje e rëndë ndaj lirisë së shprehjes, një hap drejt diktaturës, një rrugë që e fut vendin në listën e vendeve problematike. Një mision ndërkombëtar erdhi në Tiranë në datat 18- 21 qershor dhe i kërkoi Kryeministrit të mos e miratojë projektligjin.

Kryeministri premtoi se do të konsultohej me grupet e interesit dhe vetëm 2 javë më vonë, e kaloi hajdutçe në mbledhjen e Qeverisë. Nëse Parlamenti e kalon edhe këtë projekligj, siç ka bërë me ligjin për Teatrin, atëherë ajo që quhet përgjegjësi kolektive nuk mund t’i shpëtojë ata individë që votojnë për kthimin e vendit në diktaturë.